E Diel, 1 Nëntor 2026

"Milja", në gjyq për vrasjen e biznesmenit

Ka nisur dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier procesi për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Halo. Të pandehur për këtë vrasje janë Fatmir Emini, i njohur ndryshe si Mile çami dhe Bledar Yzeiri, një nga tre vëllezërit Yzeiri që janë në hasmëri me Lulëzim Cakën. Seanca e djeshme është drejtuar nga gjyqtarja Nafije Curri, ndërkohë që organi i akuzës përfaqësohej nga prokurori Shkëlqim Sinaj. Në orën 12:00, nën masa të rrepta sigurie është çuar në Gjykatën e Fierit 54-vjeçari i njohur si i forti i lagjes së çamëve në Fier. Policia kishte "blinduar" gjykatën dy orë përpara fillimit të seancës, duke shtuar postblloqet policore në të gjitha rrugët që të çojnë te Gjykata e Fierit, ndërkohë që në gjykatë ishin mbi 45 efektivë blu në gjendje gatishmërie. Pesë furgonë policie qëndronin në gatishmëri, ndërkohë që forca të shumta të sigurisë kishin ardhur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Seanca gjyqësore e së mërkurës ka nisur me afro 1 orë e 20 minuta vonesë, për shkak të mungesës së sallës së gjyqit, pasi në Gjykatën e Fierit mesditën e së mërkurës të gjitha sallat ishin të zëna me gjykimin e çështjeve civile dhe penale.

Seanca në fjalë ka zgjatur vetëm pak minuta. Mësohet se gjyqtarja Nafije Curri ka kërkuar leximin e pretencës së prokurorit. Pretenca ka qenë e gjatë, ndërkohë që Milja nuk ka pranuar asnjë prej akuzave në adresë të tij. Ai përfaqësohej me avokat privat, ndërsa bashkautori i tij, Bledar Yzeiri, i cili gjykohet në mungesë, përfaqësohet nga dy avokat të dhomës së avokatisë së Fierit. E djeshmja ka qenë seanca e dytë, pasi e para ishte caktuar në datën 9 prill, por mësohet se nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së Miles në gjykatë për arsye shëndetësore. "Afro 20 dëshmitarë do të dëshmojnë për vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo. Numri i tyre mund të rritet gjatë gjykimit, ndërkohë që jemi në fazat e lajmërimit të dëshmitarëve dhe të të gjitha palëve", sqaroi për gazetën gjyqtarja Nafije Curri.

Fatmir Emini është duke vuajtur dënimin për vrasjen e "Loshit të Karbunarës", i cili i vrau të vëllain në një lavazh. Gjithashtu, pas arrestimit të tij, Milja ka rezultuar të jetë autori edhe i vrasjes së Xhevrie Cakës, nënës së Lul Cakës, të njohur si i tmerrshmi i Beratit, ndërkohë që në dhjetorin e vitit 2008, policia e Fierit pas zbardhjes së një prej ngjarjeve të vjetra, nxori se Famir Emini është autor i vrasjes së Gjergji Halos, vrasje të cilën ai e ka kryer në bashkëpunim me Bledar Yzeirin.

Ngjarja ka ndodhur më 12 korrik të vitit 2001 dhe për shumë vite vrasja e 47-vjeçarit Halo, i cili u qëllua me pistoletë në lagjen "29 Nëntori" të Fierit, kishte mbetur e pazbardhur.

Një letër nga qelia e tradhtoi përfundimisht Milen, i cili në vitin 2001 pas vrasjes së Gjergji Halos ishte ndaluar për tri ditë. Burime nga grupi i hetimit tregojnë se Milja ka qenë organizatori i vrasjes së Halos, ndërkohë që ekzekutor dyshohet se ka qenë Bledar Yzeiri.

Mbahet në burgun e minorenëve në Vlorë

Kapobanda, i pasigurt

në të gjitha burgjet

Fatmir Emini, i njohur me emrin Mile çami, i akuzuar për një seri vrasjesh të kryera ndër vite në Fier, vuan dënimin në një burg minorenësh. Mësohet zyrtarisht se që prej tre muajsh, 54-vjeçari Emini është duke vuajtur dënimin në burgun e minorenëve në Vlorë. Lajmi është mësuar të mërkurën gjatë nisjes së gjykimit për një nga vrasjet që rëndojnë ndaj tij, pikërisht atë të biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Halo. Uniformat blu të policisë së Fierit, si dhe burime zyrtare të Prokurorisë Fier bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se zhvendosja e Miles drejt burgut të minorenëve të Vlorës ka ardhur pas një vendimi të marrë prej prokurorisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas kërkesës së vetë Miles. Burimet nga Prokuroria e Fierit tregojnë për "Shqip" se ishin hasmëritë e shumta të Mile çamit ato që çuan zhvendosjen e tij drejt burgut të Vlorës. "Studimi i të gjitha burgjeve të vendit, kryesisht burgjeve të sigurisë së lartë, nxori se Fatmir Emini ndihej i rrezikuar nga shumë të dënuar të tjerë, me të cilët ai ka hasmëri. Pas kërkesës së tij në dhjetor të vitit 2008, u morr vendimi që Emini të zhvendosej në Vlorë", thonë për "Shqip" burimet zyrtare të Prokurorisë së Fierit që po merren me hetimin e dosjeve të tij. Që nga arrestimi i tij, dy vjet më parë, Milja ka qenë në shumë burgje të vendit. Fillimisht u vendos në Burgun 313 Tiranë, më pas në atë të Rrogozhinës, për pak kohë ka qëndruar në Peqin, nga ku u zhvendos drejt Vlorës. Në këtë të fundit, përveç sigurisë së jetës, asgjë tjetër nuk është favorizuese për 54-vjeçarin, pasi mësohet se burgu i minorenëve nuk është burg i sigurisë së lartë dhe nuk ka kushte të mira jetese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›