Konkurrenca, raporton në Komisionin e Ekonomisë për vitin 2008
Komisioni i Konkurrencës ka raportuar dje përpara Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit për veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës, gjatë vitit 2008. Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë treguan interes të madh për punën e institucionit, duke drejtuar pyetje të shumta për anëtarët e Komisionit të Konkurrencës. Ata mbështetën punën e autoritetet të konkurrencës në përmbushjen e misionit të tij për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke vlerësuar vendimet e marra dhe kërkuan më shumë bashkëpunim me entet rregullatorë për sektorët e rregulluar. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Prof. Asc. Dr. Lindita Milo, në raportimin që bëri në Komisionin e Ekonomisë theksoi rolin e autoriteteve të konkurrencës për mbrojtjen e funksionimit të mekanizmave të tregut që është bërë gjithnjë e më i pranishëm në ekonominë globale për vetë rëndësinë që ka zbatimi i rregullave të tregut për konsumatorin, biznesin dhe ekonominë në përgjithësi. Ajo tha se për më tepër, kriza globale, ndër të tjera theksoi rolin e autoriteteve mbikëqyrëse dhe rregullatore.
Lati tha se në 2008, Autoriteti i Konkurrencës vëren se ka arritur në një stad më të avancuar të punës së tij, fakt i cili evidentohet nga një perceptim më real i funksionit të autoritetit nga komuniteti i biznesit, institucionet qendrore dhe vendore, media e shkruar dhe elektronike, si dhe nga publiku i gjerë. Ky fakt shprehet nëpërmjet rritjes së numrit të ankesave të biznesit; mbështetjes institucionale me informacion apo me këshillimin e akteve normative; pasqyrim të shpejtë dhe në kohë reale të shumë prej çështjeve të trajtuara, si dhe nga mbështetja e publikut për hetimet e ndërmarra. Gjithashtu, Progres-Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë konstaton se Autoriteti i Konkurrencës është në rrugën e duhur.
Miratohet nga qeveria kontrata e shitjes së OSSH-së
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i kalon zyrtarisht në pronësi kompanisë çeke, që ka fituar të drejtën e privatizimit të saj. Qeveria miratoi dje kontratën e shitjes së OSSH-së. Qeveria miratoi në mbledhjen e radhës, propozimin e projektligjit “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76 për qind të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes (OSSH) sh.a.-së”, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, së Republikës së Shqipërisë dhe ÇEZ. Vendimi i djeshëm u miratua mbështetur në ligjin “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes””, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kompania ÇEZ ka fituar tenderin për privatizimin e OSSH-së, duke ofruar për blerjen e saj një vlerë prej 102 milionë eurosh.