E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca rrëzon për herë të dytë Petroliferën

Vendimi Kompania italiane humbet ankimimin dhe urdhërohet të hapë depozitat për konkurrentët

Argumentet e kompanisë italiane, “La Petrolifera Italo-Albanese”, si dhe një fushatë mediatike që e shoqëroi, nuk i bindën anëtarët e Komisionit të Konkurrencës për të shfuqizuar një vendim që e detyron kompaninë të hapë menjëherë depozitat e saj për të gjitha kompanitë e interesuara.
“Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të kërkesës së ndërmarrjes ‘La Petrolifera Italo-Albanese’ sh.a., për revokimin e vendimit nr.140, datë 10.03.2010, të Komisionit të Konkurrencës, arriti në përfundimin se kërkesa e ndërmarrjes ‘La Petrolifera Italo-Albanese’ sh.a., është e pabazuar në ligj dhe në prova”, deklaroi dje Autoriteti.

Kufizimi i tregut të gazit të lëngshëm për shkak të bllokimit të ngarkim-shkarkimit dhe ndalimit të depozitimit, nga koncesionari “La Petrolifera Italo-Albanese”, i ka detyruar autoritetet të marrin masat. Pas fakteve të publikuara në media dhe ankesës së vetë shoqërive të importit të gazit, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetimet, duke zbuluar shkelje të parimit të konkurrencës së lirë në portin “Vlora 1”, pranë pyllit të Sodës, ku qeveria shqiptare ia dha me koncesion shoqërisë italiane, e cila më pas, me kontratat e lidhura, ka kufizuar tregun. Kompania e kritikoi Autoritetin publikisht gjatë ditëve të fundit, por këto kritika nuk e bindën komisionin të heqë dorë nga vendimi i vet.
Aktualisht, në bazë të marrëveshjes koncesionare janë ndërtuar dy sfera për depozitimin e gazit me kapacitet 2450 m³ secila, por që përdoren deri në 2000 m³ për arsye sigurie. Të dyja këto depozita sferike i janë dhënë për shfrytëzim kompanisë “Kalaja” sh.a. (ndërmarrje që ushtron veprimtari importi dhe tregtimi të GNL-së). “Aktualisht, nga inspektimet e kryera dhe dokumentet e administruara, rezulton se ndërmarrja ‘Kalaja’ sh.a., është e vetmja ndërmarrje (nga pesë gjithsej) e cila ka të drejtën të shkarkojë dhe të depozitojë produktet e saj në depozitat në pronësi të ‘La Petrolifera Italo-Albanese’ sh.a.”. Sipas kreut të Autoritetit, Lindita Lati, kjo kontratë që në kuptim të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën një marrëveshje vertikale, mund të sjellë kufizime në konkurrencë në tregun e importit të GLN-së, pasi nuk u ka dhënë mundësinë ndërmarrjeve të tjera që operojnë në këtë treg për shkarkimin dhe depozitimin e këtij produkti. Kjo situatë ka eliminuar thuajse plotësisht konkurrentët e ndërmarrjes “Kalaja” sh.a., në këtë segment të tregut. Në këto kushte, Autoriteti i Konkurrencës kërkoi nga “Petrolifera” që jo më vonë se pesë ditë nga njoftimi i vendimit të mundësojë ankorimin, shkarkimin, trajtimin dhe depozitimin e GLN-së, për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar të interesuar të operojë në këtë terminal. Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës dhe ndëshkohet me gjobë 2-10 për qind të xhiros vjetore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›