Odiseja e kutisë së materialeve zgjedhore
Debati i zgjatur për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit i parë sipas optikës së opozitës mund të ndahet në dy momente kryesore. Së pari, faza e bojkotit dhe e protestave e cila mbajti si moto të vetën hapjen e kutive të votimit dhe së dyti “tërheqja” e orës së fundit përpara seancës së 18 marsit, ku PS kërkoi të drejtën e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore. Me anë të përfaqësuesit të saj, Gramoz Ruçi, opozita ngriti pretendimin për përfshirje në objektin e hetimit parlamentar të hapjes së tyre me synimin e qartë të identifikimit të shkeljeve me listat e votimit. Rasti i Ruzhdies shërbeu me këtë rast si fakt për dyshimet e PS, e cila ndryshoi kushtet e negocimit politik duke “hequr dorë” nga kërkesa e kundërshtuar për këqyrje të fletëve të votimit. Rrëzimi në Parlament edhe i kësaj kërkese të PS jep dëshminë e radhës për bazën reale të pretendimeve të opozitës, e cila me shkeljet e konstatuara në kutitë e materialeve zgjedhore do t’i jepte të drejtë vetes për të kërkuar mandej ballafaqimin e tyre me atë çfarë përmbanin rezultatet në fletët e votimit. Një taktikë e hedhur poshtë nga shumica e djathtë, nën argumentime juridike që gjithsesi për sa kohë nuk janë certifikuar nga institucione të specializuara do të vijojnë të mbeten objekt debati. Megjithatë, argumenti bazë i referohet arkivimit të materialit zgjedhor menjëherë pas asgjësimit të fletëve të votimit, ç’ka për hetimin parlamentar nënkupton një mbyllje të dosjes së 28 qershorit.
#