E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Shqipëri, të gjithë të fituar

Skënder Shkupi 

Përfundimet e zgjedhjeve për Kuvendin e shqiptarëve ngjallën komente të pafundme në Shqipëri dhe jashtë saj. Ndryshe nga sa parashikohej, etapa e fundit e këtij procesi votimesh, e cila mendohej se do të ishte e qetë për shkak të Kodit të ri Zgjedhor, ku konkurrenca qe kryesisht ndërmjet subjekteve politike dhe jo individëve, nuk doli e tillë. Gjakrat u ndezën tej mase dhe logjika i la vendin emocioneve të forta dhe pasionit irracional. Aq fort u ndez kjo klimë paszgjedhore, sa dikush ndolli madje edhe 1997-ën me thirrjet që “populli i revoltuar të dilte në protesta të fuqishme rrugëve” për të korrigjuar rezultatet e shpallura, qoftë edhe me një kuti votimi.  Këto protesta dihet si fillojnë, por nuk dihet si mbarojnë. Të mos harrojmë që ende sot, pas 12 vjetësh janë në qarkullim rreth 300 mijë armë të rrëmbyera nga depot e reparteve ushtarake në vitin e mbrapshtë ‘97.
Por a përligjet gjithë ky nervozizëm?
Le të shohim se çfarë ndodhi më 28 qershor. Elektorati shqiptar u tregua tejet i emancipuar, duke marrë pjesë deri në 50 për qind në votime (që në kushtet kur mbi 1 milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit, por janë të regjistruar brenda vendit, përkthehet në rreth 70 për qind). Veç kësaj vota u nda gati përgjysmë, njëlloj si në Gjermani apo në SHBA, duke pasqyruar një drejtpeshim qytetar ndërmjet të djathtës e të majtës. Pra, askush nuk ka të drejtë të ankohet nga ai popull që votoi këtë fund qershori, “për nivel të ulët intelektual”.
PS-ja që nuk arriti një objektiv që i kishte vënë vetes, megjithatë nuk ka motiv të mirëfilltë për dëshpërim apo revoltë. Si parti ajo mori më shumë vota dhe, për rrjedhojë, është forca e parë politike e vendit. Duke qenë fituese e votës popullore, ai kushti që Edi Rama të japë dorëheqjen nuk plotësohet. PS-ja është fituese e zgjedhjeve, pavarësisht se Kodi që hartoi vetë e penalizoi për ta përkthyer votën e proporcionalit të pastër në proporcional rajonal e, për pasojë, në mandate deputetësh.
PD-ja kuptohet, ndonëse nuk arriti të nxjerrë me forcat e veta mbi 70 mandate deputetësh, përsëri, me anë të një strategjie të llogaritur shumë saktë, ia doli të sigurojë një mandat të dytë qeverisës për vitet 2009–2013. Vlen të shënohet këtu roli i veçantë i drejtuesit të saj Sali Berisha, që demonstroi nivel të lartë menaxhimi të situatës. Kuptohet që PD-ja duhet të jetë mjaft e kënaqur me rrjedhën e ngjarjeve, ndonëse ato nuk u derdhën në shtratin e shpresuar.
LSI doli faktor stabilizues, ndërkohë që simotrat e saj (për nga përmasat dhe ndikimi në elektorat) u tretën në mokrën gjigante të Kodit të pamëshirshëm Zgjedhor. LSI qe planifikuar të shuhej, mirëpo ajo ia doli jo vetëm të mbijetojë, por njëherësh të bëhet ikonë shpëtimtare ndaj perspektivës së errët të një zallamahie destabilizuese, që do të pasonte situatën pa rrugëdalje përballë faktit që nuk ekzistonte një fitues konkret në terma karrigesh të deputetëve të Kuvendit. Pra, LSI ka arsye të jetë e kënaqur.
Këtu do hapur një parantezë. U fol për tradhtira dhe shkelje morali nga ana e drejtuesve të LSI-së, madje u kalua edhe në cilësime tepër fyese që vinin nga një dëshpërim i skajshëm i militantëve të PS-së për rrjedhën e ngjarjeve, dëshpërim që siç e thamë më sipër, është i pavend. Në përgjigje të akuzave të tilla do të ishte e udhës të shtronim pyetjen: ç’propozojnë kritikët politikë si zgjidhje?
Varianti 1, ishte koalicioni PD–LSI, ai që ndodhi, me PS-në në opozitë.
Varianti 2, do të ishte koalicioni me bazë të gjerë PD–PS, LSI në opozitë. Një variant i tillë do të ishte anormal. Katër deputetë të LSI-së do të përbënin një opozitë inekzistente dhe qeveria do të ishte praktikisht e pakontrollueshme. Ky variant ka edhe anën e tij “morale” gjithnjë sipas këndvështrimit të kritikëve politikë. Ata thonë që aleanca PD–LSI është tradhti. Po përse ajo PD–PS nuk qenka tradhti?
Varianti 3, do të ishte koalicioni PS–LSI, PD askund, as në qeverisje dhe as në opozitë.
Për ta thjeshtuar skemën po e përkthejmë në pasoja të drejtpërdrejta:
Varianti 1 = Stabilitet me një opozitë të fuqishme që do të korrektojë në çdo hap qeverinë.
Varianti 2 = Diktaturë e qeverisë dhe vendime arbitrare të saj, që do të shpinin në pakënaqësi të përgjithshme të elektoratit me shumë mundësi sherresh brenda qeverisë e me gjasa të rënies së shpejtë të saj.
Varianti 3 = Konfuzion i përgjithshëm, zallamahi, destabilizim deri në zgjedhje të parakohshme vitin tjetër, por me pasoja të dhimbshme të shtyrjes së perspektivës të anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri andej nga vitet 2025–2030.
A ka vend këtu për të zgjedhur?
Së fundi, të kalojmë te moria e partive të vogla që praktikisht “u shuan” nga votimet e fundit. Ato duhet të jenë të kënaqura për faktin se u mbetet të kuptojnë që deri më sot kanë bluar me mulli bosh. Votimet i zgjuan nga ëndrra, i bënë të ndërgjegjësohen që demokracia në Shqipëri nuk është problem i shtimit të numrit të partive, por i përfshirjes së tyre në grupimet e konsoliduara, me kusht demokratizimin e brendshëm të tyre, lejimin e fraksioneve, lejimin e fjalës së lirë e të debatit në gjirin e dy ose tre grupimeve të mëdha politike. Sigurisht ndofta është ende shpejt për të pretenduar për një demokraci të plotë të brendshme në partitë e mëdha shqiptare. Megjithatë koha do të sjellë ndryshimet e dëshiruara.
Këtu është me vend të hapim një parantezë të dytë. Një vend i varfër që del nga një diktaturë e tmerrshme, gati gjysmëshekullore, nuk mund të kthehet menjëherë në një vend demokratik të tipit të Europës Perëndimore apo të SHBA. Përvoja historike tregon se demokracitë moderne kanë lindur fillimisht në vendet më të pasura e më të zhvilluara të Europës së Perëndimit. Nuk mund të ketë demokraci të shoqëruar me mjerimin dhe varfërinë masive të njerëzve. Në të kaluarën kanë qenë disa sisteme autoritare apo diktatura që përgatitën demokracinë në vendet përkatëse nëpërmjet fuqizimit të shtetit dhe pasurimit të njerëzve. I tillë ka qenë Mustafa Kemal Ataturk, që e shkundi nga themelet pjesën turke të perandorisë së sulltanëve, pasuroi dhe modernizoi vendin dhe përgatiti kalimin e Turqisë në sistemin demokratik të tipit pluralist perëndimor. Pa Ataturkun, Turqia do të ishte Afganistan. Por në kohën e tij nuk lejoheshin partitë politike. Franko ishte një diktator, madje edhe gjakatar. Por ai ka meritën që shpëtoi vendin nga një agresion i një të majte radikale të dominuar nga komunistët, që do ta bënte Spanjën një Rumani të Atlantikut. Para vdekjes ai e kaloi Spanjën në shinat e demokracisë perëndimore, duke e bërë atë sot kandidate për të zëvendësuar Italinë në G-8. Le të marrim një figurë edhe më të anatemuar nga shtypi botëror, i cili, ashtu si në Shqipëri, dominohet nga të majtët, diktatorin Pinoçet. Salvador Aljende ishte një udhëheqës romantik, që besonte në idealet e demokracisë dhe në mashtrimet e komunistëve, që kudo në Amerikën Latine hiqen si demokratë. Ai kishte shumë përkrahës në vend, por i papërgatitur për të kuptuar dredhitë e “miqve” që e rrethonin, për pak e çoi Kilin në katastrofë. Një grusht shteti i Pinoçetit e rrëzoi nga fuqia, madje i mori edhe jetën Aljendes, por nëse nuk do të ndodhte ai puç ushtarak, në Amerikën Latine do të kishim një Kubë të dytë. Por si është Kili sot? “Çuditërisht” zë vendin e parë për nivelin e jetesës në kontinentin e Amerikës së Jugut.
Për Shqipërinë nuk mund të bëhen përqasje të mirëfillta me shembujt e përmendur më sipër. Por diçka duhet nxjerrë nga përvojat e të tjerëve. Kemi një Berishë autoritar, i cili sulmohet egërsisht për mënyrën e qeverisjes, ku fjala e tij ka më shumë peshë se ajo e të gjithë ministrave të marrë së bashku. Një pohim i tillë nuk është larg të vërtetës. Por a është me të vërtetë një fatkeqësi e tmerrshme për shqiptarët kjo situatë? Në vend të përgjigjes do të formulonim një konstatim që mund të verifikohet lehtë: ndërtimi i autostradës Durrës–Kukës nuk do të qe kthyer kurrë në realitet po të mos ishte vendosmëria e hekurt e Berishës, që nuk pranon asnjë kundërshtim. Drejtuesit e tjerë “të barabartë” me të do të nisnin nga llogaritë, kostoja, shpenzimet e mëdha, dhe do ta hidhnin poshtë projektin. Ashtu sikundër ndodhi me “të butin” Majko. Pra, punët e mëdha kërkojnë edhe vullnete të mëdha, që fatkeqësisht gjenden te tipat autoritarë dhe jo fort tërheqës për adhuruesit e demokracisë së pastër. Ngjan si paradoks, por, në këtë këndvështrim, Sali Berisha, me gjithë të metat e tij, ndërmjet të cilave i radhitet edhe autoritarizmi, por pikërisht me autoritarizmin e tij i ka të gjitha premisat të realizojë vepra të mëdha të munguara në Shqipëri, pa të cilat, në fund të fundit, nuk mund të ndërtohet demokracia e pastër perëndimore.
Nisur nga sa më sipër, edhe kritikuesit më të egër të Dr. Berishës duhet të ndjehen të kënaqur, pasi ai po e afron kohën e bukur të triumfit të demokracisë së mirëfilltë në Shqipëri, ideal për të cilin këta kritikues po e sulmojnë me tërbim kryetarin e PD-së.
28 qershori 2009 shënon një datë historike për shqiptarët, pasi në përfundimet e votimeve të asaj dite një popull i tërë mund të gjejë motivet e mirëfillta për t’u ndjerë i fituar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›