E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurs për studentët: Krijoni pajisje elektro-shtëpiake, fitoni 5 mijë euro



Këshilli Kombëtar Studentor ka nisur një konkurs për studentët e Universitetit Politeknik, në lidhje me idejimin e pajisjeve elektro-shtëpiake. Studentët kreativë mund të aplikojnë deri më 31 maj dhe pas seleksionimit të aplikimeve më të mira do të kryhet faza finale. Tre fitues do të përfitojnë 2 deri në 5 mijë euro, si edhe një bursë studimi.

“Electrolux Design Lab 2009, një konkurs global për idejim elektro-shtëpiakesh në bashkëpunim me Këshillin Kombëtarë Studentor, fton studentë të cilët vazhdojnë studimet dhe të diplomuar të Universitetit Politeknik dhe Inxhinierisë së Ndërtimit të aplikojnë me idetë e tyre inovative për pajisje të reja shtëpiake deri në 31 maj 2009”, – bëri të ditur Këshilli Kombëtar Studentor.

Në këtë konkurs do të paraqiten punime për pajisje të përdorimit profesional dhe kriteri është që idetë krijuese të adresojnë kërkesat kyçe të konsumatorëve si p.sh. të jenë të adaptueshme me kohën dhe vendin, të mësojë dhe të lejojë individualizim. “Ne po kërkojmë ide dhe zgjidhje vërtet të guximshme”, - deklaroi Henrik Otto, Zv.President i “Electrolux”, që është organizatori i konkursit.

“I mbajtur për herë të parë në vitin 2003, “Electrolux Design Lab” është një konkurs i përvitshëm, i cili është i hapur ndaj studentëve apo të diplomuarve të universiteteve teknike, të cilët ftohen të prezantojnë idetë e tyre novative për pajisje shtëpiake të së ardhmes. Kjo është një mundësi e mirë për studentët shqiptarë të kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes. Gjithashtu, eksperienca ndërkombëtare e marrë në këtë lloj konkursi është një eksperiencë shumë e vlefshme personale”, - tha Qamil Dika, kryetar i Këshillit Kombëtar Studentor gjatë prezantimit të projektit.

Një numër i kufizuar finalistësh do të ftohen të paraqesin punët e tyre në ngjarjen finale në Londër më 24 shtator 2009. Punimet do të paraqiten përpara një jurie ekspertësh dhe ideatorë të rangut të lartë. Kjo juri do të vlerësojë çdo finalist në bazë të intuitës në idejim, risinë dhe përshtatshmërinë ndaj klientit, dhe më pas do të zgjedhë një fitues. “Design Lab 2009” ka një çmim të parë prej 5000 Euro dhe një internship 6-mujor të paguar në një nga qendrat e “Electrolux”. Çmimi i dytë 3.000 euro dhe i treti 2.000 euro.

“Të punosh me talente te reja na jep frymëzim për produkte të reja në të ardhmen”, - shton Otto. “Gjithashtu na jep mundësinë të zbulojmë talentin më premtues tek të rinjtë”.

Afati i fundit i aplikimit është më 31 maj 2009.

Gjirokastër

Spitali Ushtarak, nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë

Spitali Ushtarak i Gjirokastrës, një investim i qeverisë greke, prej ditës së djeshme do të administrohet nga Ministria e Shëndetësisë. Spitali, një godinë 1-katëshe e ngritur pesë vjet më parë në territorin e Forcave Tokësore të Divizionit “Labëria”, rreth dy kilometra larg qendrës së Gjirokastrës, administrohej deri tani nga Ministria e Mbrojtjes. “Kontributi që ka dhënë qeveria greke për ngritjen e këtij spitali mbart frymën dhe angazhimin e dy palëve për marrëdhënie të sinqerta fqinjësh, jo vetëm nga gjeografia e traditat, por edhe për vlerat e përbashkëta dhe angazhimet demokratike”, - tha ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, pasi i dorëzoi në mënyrë simbolike çelësat e Spitalit Ushtarak, ministres së Shëndetësisë, Anila Godo. Ai vlerësoi investimin e qeverisë greke në dobi të pacientëve të rajonit jugor, si dhe strukturat e Spitalit Ushtarak, ku përfshihet reparti i pranim-urgjencës, kirurgjia, terapia, stomatologjia, farmacia, laboratorë të ndryshëm, të pajisur me aparatura mjekësore të kohës. Ndërsa ministrja Godo, pasi ka falënderuar ministrin e Mbrojtjes për gatishmërinë e treguar që kjo godinë të kalojë zyrtarisht nën administrimin e institucionit të shëndetësisë, tha se “kjo është dhurata më e bukur që i është bërë shëndetësisë. Ndërtimi i spitalit ushtarak të Gjirokastrës, një investim me vlerë 1.8 milion euro nisi në vitin 1999 dhe u vu në funksion më 9 korrik 2004. Në këto 5 vite, pranë kësaj qendre shëndetësore janë mjekuar mbi 100 mijë pacientë, kryesisht të rajonit jugor, nga të cilët 1150 kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale. Nga të dhënat rezulton se në këtë periudhë janë kryer 227.000 analiza biokimike, 19.000 radiografi, 2.500 eko dhe 2.500 diagnostikime në zemër.

Studimi

Zemërimi dëmton zemrën

Kërkime të reja në këtë fushë tregojnë se zemërimi prish qëndrueshmërinë e valëve elektrike të zemrës, gjë që mund të shkaktojë çrregullim të ritmit në rrahjet e zemrës. Ritmi jonormal mund të shpjegojë arsyen përse ndonjëherë zemra pushon papritur kur njeriu përballet me tronditje, dëshpërim të thellë a stres ekstrem. Këto dhe të dhëna të tjera të ngjashme i bëjnë ekspertët të mendojnë se emocionet e forta mund të ndikojnë për ndalje të papritur të rrahjeve të zemrës. Por është ende e paqartë se në ç’mënyrë zemërimi, tronditja e thellë, trishtimi a dëshpërimi, mund të dëmtojnë zemrën. Studimi i ri lë të kuptohet se emocionet e forta mund të ndryshojnë drejtpërdrejt stabilitetin elektrik të zemrës. Shkencëtarët pranë universitetit Yale morën në shqyrtim 62 pacientë që përdornin pejsmejkër, pajisje e implantuar në trup për trajtimin e sëmundjes së tyre në zemër.

Shkencëtarët u kërkuan pjesëmarrësve në studim që të kujtonin një kohë kur ata ishin ndjerë të zemëruar, dhe vëzhguan veprimtarinë e zemrës për të parë nëse do të ndodhte ndonjë ndryshim. Gjatë këtij vëzhgimi me aparat, shkencëtarët vunë re se zemërimi shkaktoi tronditje në valët elektrike të zemrës dhe se disa pacientë reaguan më shumë se të tjerët ndaj zemërimit.

Një vit pas këtij eksperimenti, personat që kishin reaguar më fortë ndaj zemërimit, kishin ndjerë nevojën e ndërhyrjes së aparatit pejsmejkër për të rivendosur ritmin normal të rrahjeve të zemrës.

Shkencëtarët mendojnë se ky çrregullim në zemër si pasojë e zemërimit ka të ngjarë të shkaktohet nga një vërshim i adrenalinës. Ekspertët thonë se ruajtja e qetësisë shpirtërore ndihmon në zbutjen e rrjedhës së adrenalinës. Për të kontrolluar zemërimin, ekspertët rekomandojnë përdorimin e teknikave qetësuese përfshi frymëmarrje të thellë dhe ushtrime jo stresuese si yoga-n ose ecjen.

“Zëri i Amerikës”

Mbipesha, rreziku i ri i adoleshentëve

Shkencëtarët shqetësohen se rastet e mbipeshës në radhët e të rinjve nën moshën 20-vjeçare po vjen duke u rritur. Sipas tyre, kjo rritje ndikohet edhe nga takti apo mënyra se si i thuhet pjesëtarëve të kësaj grupmoshe se ata janë mbipeshë.

Mbipesha trupore është një problem shqetësues mes të rinjve e të rejave amerikane. 1 në çdo 5 prej tyre janë mbi peshë. Por nxitja e kësaj grupmoshe për të rënë nga pesha nuk është e lehtë, pasi fjalët duhen zgjedhur me kujdes.

Kështu thuhet në një studim 5 vjeçar ku morën pjesë 2 mijë e 500 të rinj e të reja me peshë trupore mbi atë normalen. Mënyra më e mirë për t’i motivuar ata ishte përjashtimi nga fjalori i fjalës “dietë”. Studimi tregoi se t’i thoshe kësaj grupmoshe të mbante dietë, shkaktohej efekt i kundërt. Ata që ishin të vetëdijshëm rreth mbipeshës së tyre, kur u thuhej të mbanin dietë, kalonin në ekstrem, duke marrë tableta kundër mbipeshës, duke mos ngrënë fare gjithë ditën, ose duke shkaktuar vjelljen e ushqimit nëpërmjet futjes së gishtave thellë në gojë.

Shkencëtarët rekomandojnë që mjekët t’u thonë pacientëve të tyre se dieta ekstreme aktualisht shton peshën trupore dhe nuk e pakëson atë. Sipas studimit, mbipesha shfaqet më shumë tek ata të rinj e të reja të cilët mendojnë se nuk kanë trup të bukur, prandaj prindërit nuk duhet t’i kritikojnë ata për mbipeshën. Përkundrazi, familjet duhet të përqendrohen në ngrënie ushqimesh të shëndetshme dhe veprimtari të përbashkëta fizike siç janë lojëra sportive me top ose shëtitje me biçikleta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›