E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrohja globale, në dhjetor marrëveshje e re për klimën



Në Bon filluan dje bisedimet për një marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës, e cila pritet të miratohet në dhjetor në Kopenhagë. Kjo marrëveshje e re do të pasojë Protokollin e Kiotos, e cila merr fund në vitin 2012. Ndër të tjera në Bon do të diskutohet për vendosjen e niveleve për sasinë e reduktimit të emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin e serës dhe ndihmat financiare për vendet në zhvillim, për të luftuar ndryshimin e klimës.

Në këtë takim dhjetëditor priten rreth 2000 pjesëmarrës nga rreth 180 vende të botës. Njoftohet se edhe Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka ftuar për një takim të nivelit të lartë për klimën 16 vendet me ekonomitë më të mëdha të botës. Ky takim pritet të zhvillohet në fund të prillit në Uashington.

Sipas planeve që ka bërë Bashkimi Evropian, vendet e industrializuara do të duhet që në vitin 2020 të ulin me 30 për qind gazrat që lëshojnë në atmosferë, në krahasim me vitin 1990. ShBA-të, që nuk kanë nënshkruar Protokollin e Kiotos, refuzojnë vendosjen e kufijve të detyrueshëm. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që edhe vende si Kina dhe India të detyrohen të respektojnë rregullat për mbrojtjen e klimës.

Për të kufizuar me maksimumi 2 gradë celsius ngrohjen e Tokës, BE-ja do të nxisë të gjithë ndotësit e mjedisit që të përbetohen se deri në janarin e vitit 2020 të ulin me gati një të tretën emisionet e gazrave të dëmshëm për klimën. Vetë BE-ja ka premtuar se do t´i pakësojë me 20% gazrat e dëmshëm.

Protokolli i Kiotos ka sjellë vetëm një ndikim fare të vogël në emetimin e gazrave që krijojnë efektin serë, por nëse ai do të dështonte siç rrezikoi të ndodhte pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja katër vjet më parë, ndërmarrja e hapave të mëtejshme do të ishte gati e pamundur. Po të lihen mënjanë SHBA-ja dhe pak aleatë të saj, vendet e zhvilluara tani janë të detyruara t'i ulin emetimet e gazrave nën një nivel që është vënë si objektiv brenda vitit 2012.

Pas kësaj date asgjë nuk është përcaktuar për të ardhmen e botës. Konferenca të shumta janë kryer me më kryesoren atë të Balit një vit më parë, ku edhe Shtetet e bashkuara u zotuan për të ripërtërirë këtë marrëveshje. Kjo konferencë dyjavore nuk pati rezultate, përveç zotimit për krijimin e një marrëveshjeje mbarëbotërore për uljen e ndikimit të ngrohjes globale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›