E Diel, 1 Nëntor 2026

Austria mes "etheve" të futbollit dhe frikës nga sulmet huligane

Me punë të siguruar, torta në formën e topit të futbollit dhe 100 statuja të heroit kombëtar të futbollit, Hans Krankëll, Austria po përgatitet në mënyrën e saj të veçantë për të pritur Euro 2008. Në një vend që njihet më shumë për malet dhe Moxartin, përgatitjet graduale për evenimentin madhor që do të zgjasë tri javë po zhvillohen me shijen e veçantë austriake. Në mënyrë që tifozët e futbollit të ndjehen të mirëpritur në Vjenë, organizatorët po ngrenë statuja plastike të Krankëll, duke thyer disi pamjen e gurtë që ofron qyteti, me statujat e kompozitorëve vendas, filozofëve dhe figurave politike. Krankëll ndihmoi kombin alpin që në një ndeshje të Botërorit 1978 të mposhte Gjermaninë Perëndimore, humbje që më pas rezultoi fatale për kampionët e botës në fuqi, të cilët u eliminuan. Tregtarët e kryeqytetit i kanë mbushur dritaret e dyqaneve me llulla që kanë formën e topit të futbollit, kupa me ngjyra bardhezi dhe statuja lopësh prej porcelani të lyera bardhekuq - ngjyrat kombëtare të Austrisë. Edhe ëmbëltoret kanë filluar punën, duke krijuar me kujdes torta me simbolet e Euro 2008. Megjithatë, jo të gjithë e shohin evenimentin e 7-29 qershorit, që do të organizohet së bashku me Zvicrën, si diçka të mirë për vendin: banorët vjenezë po inkurajohen që të presin siguracione vandalizmi, nga frika e bandave "hooligane", që qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit. "Kampionati Evropian 2008 është një eveniment i shkëlqyer për tifozët e futbollit. Megjithatë, fitimi i ndeshjeve nuk sjell vetëm gëzim e festë, ajo mund të shkaktojë edhe dëme të rënda në dyert kryesore të shtëpive, ndërtesa dhe në bizneset lokale", shkruante në një deklaratë për shtyp kompania e sigurimeve, "Vienna Insurance Group". Me 15 euro mund të blihet siguracioni për vandalizmin gjatë turneut, ku të dëmtuarit do të dëmshpërblehen deri në shumën 2500 euro. Ethet e sportit më popullor në botë kanë përfshirë të gjithë vendin. Madje, për të gjithë ata që ndahen nga jeta, agjencia më e madhe e funeraleve në Vjenë ofron arkivol me elementë të futbollit për 362 euro.

Edhe lotaria kombëtare ka vendosur t‘i dekorojë topat e lotos si sfera futbolli. Një përpjekje e organizatorëve që të përhapin atmosferën e prag Evropianit. Organizatorët shpresojnë që entuziazmi gjatë evenimentit të ndikojë edhe në ngritjen e turizmit. Austria synon që t‘i shndërrojë turistët tifozë të futbollit në njohës të artit dhe ngjitës malesh. Kjo është arsyeja përse në posterët e shpërndarë për Euro 2008, ata promovojnë gjërat që tradicionalisht kanë qenë tërheqja kryesore për këtë vend. Edhe Zvicra ka vendosur të përdorë një strategji të tillë, duke synuar që jo gjithçka të jetë e përqendruar vetëm te futbolli, por edhe tek Alpet. "Zvicra, edhe më spektakolare se futbolli!", është slogani i përdorur në faqen zyrtare elektronike të turizmit.

Grupi A

Zvicër

Rep. Çeke

Portugali

Turqi

Grupi B

Austri

Kroaci

Gjermani

Poloni

Grupi C

Holandë

Itali

Rumani

Francë

Grupi D

Greqi

Suedi

Spanjë

Rusi

Palmaresi

1960 B. Sovjetik

1964 Spanja

1968 Italia

1972 Gjer. Perëndimore

1976 Çekosllovakia

1980 Gjer. Perëndimore

1984 Franca

1988 Holanda

1992 Danimarka

1996 Gjermania

2000 Franca

2004 Greqia

Kupa

Trofeu Henri Delouni, që i jepet fituesit të Kampionatit Evropian, mban emrin e Sekretarit të Parë të Përgjithshëm të UEFA-s, i cili hodhi idenë e organizimit të tij, por fatkeqësisht u nda nga jeta 5 vjet para zhvillimit të edicionit të parë. Djali i tij, Pierr Delouni, ishte personi të cilit iu ngarkua detyra për të ndërtuar Kupën që do t‘i jepej fituesit të aktivitetit

Maskotët

Trix dhe Flix janë dy maskotët zyrtarë të EURO 2008, të cilët u përzgjodhën pas një votimi publik nga shtetasit e dy vendeve që organizojnë turneun. "Kundërshtarët" e tyre ishin Zagi-Zigi dhe Flitz-Bitz. "Jam i sigurt se maskotët dhe emrat e tyre do të bëhen një pjesë e pandashme e të gjithë turneut", ishin fjalët e Kristian Mutshler, i cili është organizatori i turneut për Zvicrën

Topi

Firma sportive "Adidas" ka prodhuar një top të veçantë për fazën finale të EURO 2008, të cilit i është vënë emri EUROPASS. Topi është i ndërtuar me 14 panele të ndryshme, ashtu si "Teamgeist" me të cilin u luajt në fazën finale të Botërorit 2006, por me ndryshime në strukturën dinamike dhe të sipërfaqes, duke e bërë më të kontrollueshëm nga lojtarët teknikë

Debutuesit

Kombëtarja e Polonisë dhe ajo e Austrisë janë debutueset e këtij edicioni në fazën finale të një Kampionati Evropian. Polonia arriti të kualifikohej, pasi siguroi vendin e parë në grupin A të eliminatoreve. Ndërkohë, Austria ka përfituar nga rregulli i pranimit automatikisht të vendit organizator, pavarësisht faktit se ka një kombëtare, e cila mund të mos kalojë as fazën e grupeve

Favoritet

Favorite për fitimin e trofeut më të rëndësishëm në kontinent për ekipe kombëtare cilësohet Gjermania. Triumfi i skuadrës së Hoakim Lëv kuotohet 4/1, ndërsa pas saj vjen Spanja (11/2). Italia, kampione e botës, renditet e treta në listën e favoriteve, kuotimi 7/1, ashtu sikurse edhe Portugalia. Pas tyre vijnë Franca, Holanda e Republika Çeke. Vetëm e dhjeta, Greqia kampione në fuqi


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›