Rikthehen zyrtarët e bashkisë
POGRADEC
Gjykata e Apelit të Korçës rrëzon vendimin e shkallës së parë të Pogradecit, për tre zyrtarët e bashkisë së këtij qyteti. Vendimi i apelit riktheu në punë nën/Kryetarin e Bashkisë Pogradec, Erjon Vesho, Drejtorin e Urbanistikës, Paskalino Ziko dhe Drejtoreshën e Ekonomisë po në Bashkinë e Pogradecit, Arjana Brahollari. Të tre këta zyrtarë janë persona nën hetim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim”. Ata u akuzuan nga Prokuroria për abuzimet me tenderin e pastrimit të qytetit të Pogradecit, të cilat kalojnë vlerat e 4 milionë eurove. Vendimi i Gjykatës së Apelit në Korçë vajen fill pas një tjetër vendimi të Gjykatës së Pogradecit, e cila në ngarkim të tre zyrtarëve të bashkisë kishte dhënë tre masa shtrënguese dhe ndaluese. Konkretisht, gjyqtari maxhistrat Klodian Rado vendosi që gjer në përfundim të hetimeve, zyrtarët të pezulloheshin përkohësisht nga detyra. Gjithashtu atyre iu ndalohej të hynin në Bashkinë e Pogradecit, për asnjë lloj arsyeje. Një masë tjetër e caktuar nga gjykata ishte edhe ndalimi i tyre që të dilnin nga vija e verdhë e njësisë administrative të Bashkisë Pogradec, deri në përfundim të gjykimit të kësaj çështjeje. Në këtë vendim të gjykatës, argumentimi i togave të zeza për pezullimin e zyrtarëve të lartë vendorë ishin sjellë jo vetëm në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe nga praktika e Gjykatës së Strazburgut. Mësohet se vendimi i Gjykatës së Apelit ka sjellë reagim të ashpër të Prokurorisë, e cila do ta ndjekë në shkallët më të larta të drejtësisë këtë çështje, të cilësuar prej saj korruptive. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se ky vendim ka sjellë madje edhe reagimin e vetë Kryepro-kurores Ina Rama. Prokurorja e Përgjithshme mësohet se ka urdhëruar personalisht apelimin e menjëhershëm në Gjykatën e Lartë të vendimit të Apelit të Korçës, i cili riktheu në punë zyrtarët e lartë vendorë. Tashmë do të jetë Gjykata e Lartë, e cila do të vendosë përfundimisht lidhur me masën e sigurimit ndaj tre zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim të detyrës me miliona euro. Kjo çështje, është më e madhja e korrupsionit që është hetuar ndonjëherë në qytetin e Pogradecit.