E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers financon rehabilitimin e galerisë

 

Gjirokastër- Një ndihmë financiare e Ambasadës amerikane, mundëson rehabilitimin e galerisë së vetme të arteve në Gjirokastër. Galeria "Gjin Zenebishti" e pozicionuar në kështjellën e Argjirosë, sot ndodhet në një gjendje aspak të mirë përsa i përket konfiguracionit të saj, elektrifikimit të plotë si dhe ruajtjes së identitetit të vet në një prej mjediseve më të moçme të kalasë. Rreth 40 mijë USD janë akorduar nga ana e Ambasadës amerikane, nën kujdesin e veçantë të Ambasadorit John Withers, dhe së shpejti pritet të nisë puna në këtë mjedis ku nuk është vënë dorë qysh prej ndërtimit në shek. XVIII-XIX. Sipas drejtorit të Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Sadi Petrela, njëkohësisht drejtues i fondacionit "Gjirokastra", rehabilitimi i galerisë do të krijojë një mjedis ekspozimi model, mungesa e të cilit ndihet aq shumë në Kalanë e Gjirokastrës. Mjediset e galerisë do të rinovohen plotësisht në standarde moderne dhe do ndriçohen me energji të prodhuar nga panele diellore. "Pas përfundimit të fazës së parë brenda vitit 2009, synohet që në vitin 2010 të kalohet në fazën e dytë për krijimin e muzeut", është shprehur për gazetën "Panorama", Petrela. E gjithë puna do të bëhet nën mbikëqyrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës nën drejtimin e specialistit të monumenteve Emin Riza. Muret ekzistuese të tre pjesëve të galerisë datojnë në shek. XVIII-XIX dhe demonstrojnë mjeshtëri të lartë ndërtuese. Restaurimi i mureve do të konsistojë në pastrimin, heqjen e gjurmëve të vjetra të çimentos dhe llaçit nga sipërfaqja e gurëve, ribërjen e fugaturave dhe trajtimin e sipërfaqeve për të eliminuar pluhurin. Dyshemeja e galerisë është në gjendje të rrëgjuar, me sipërfaqe çimentoje të plasaritur dhe rrjepur dhe plot lagështi. Shtresa ekzistuese e dyshemesë mendohet të hiqet dhe pastaj të hidhet një shtresë zhavorr, mbi të cilin do shtrohet një shtresë kundër lagështisë dhe termoizoluese dhe dyshemeja e re do të shtrohet me pllaka guri gëlqeror. Ndriçimi me konsum të ulët i galerisë do të furnizohet nga panele fotovoltaike të vendosura mbi tarracë me fuqi 2 KW. Një sistem i tillë tashmë është instaluar në një pjesë të tarracës së Kalasë.                            Pirro Nase

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›