PD - PAD bashkë në zgjedhje
Pas gati 17 vjetësh Neritan Ceka rikthehet të bashkëpunojë me Partinë Demokratike. PD e PAD kanë arritur dje marrëveshjen për të dalë së bashku në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i PAD-së, është takuar me Kryeministrin Berisha, me të cilin ka rënë dakord për formën e bashkëpunimit në procesin e ardhshëm zgjedhor. Sipas një njoftimi për shtyp të Këshillit të Ministrave “gjatë këtij takimi, u diskutua lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm elektoral mes dy forcave politike. Kryetari i PDSH-së Berisha dhe ai i PAD-së Ceka dolën në përfundimin që në zgjedhjet e qershorit 2009 këto dy forca politike do të paraqiten si aleatë elektoralë dhe në qeverisjen e vendit”. “Të dy personalitetet politike theksuan se kjo erdhi si një domosdoshmëri, që buroi nga qëllimet dhe programet e përbashkëta të këtyre dy forcave politike”, vijon më tej deklarata për shtyp. Neritan Ceka mori pak kohë më parë postin e nënkryetarit të Parlamentit me votat e PD-së, ndërkohë që ky hap zyrtarizon përfundimisht bashkëpunimin paraelektoral të këtyre dy partive.