E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi për integrimin, Fyle: Urime për Shqipërinë

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle

Komisioneri për Zgjerimin në KE reagon pas miratimit të Planit të Veprimit.

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, ka përshëndetur dje miratimin e Planit të Veprimit nga ana e qeverisë shqiptare. Qëndrimi i Fyle është bërë publik në rrjetin e tij social Twiter, ku ai ka shprehur entuziazëm për këtë hap të hedhur nga Shqipëria, kësaj herë një bashkëpunim i ngushtë i qeverisë dhe opozitës për zbatimin e 12 kritereve të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Urime Shqipërisë për miratimin e Planit të Veprimit. Një përpjekje e përbashkët e qeverisë dhe opozitës, thuhet në mesazhin e publikuar në rrjetin social të komisionerit Fyle. Reagimi i komisionërit për Zgjerimin vjen pasi në Tiranë u mbajt me një frymë të theksuar pozitive Komiteti i Stabilizim-Asociimit, ku kriteri politik, në të cilin deri vonë kishim mbetur në klasë, tashmë u përcoll me tone vlerësuese dhe optimiste, si nga pala shqiptare, ashtu dhe nga ajo europiane.
Vizita në Shqipëri
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle ende nuk ka konfirmuar zhvillimin e një vizite zyrtare në Shqipëri. Ndërkohë, në axhendën e zotit Fyle është përcaktuar vizita në Shkup dhe në Prishtinë. Disa javë më parë zëdhënësi i komisionarit Fyle, Peter Stano, i pyetur për një vizitë të mundshme në Tiranë, ai ka deklaruar se: Komisionari të paktën një herë në vit duhet ta vizitojë Tiranën. Po se kur, nuk dihet. Planet e tij të udhëtimit hartohen në atë mënyrë që të paktën komisioneri ti vizitojë një herë në vit vendet nën portofolin e tij. E njëjta gjë vlen për Shqipërinë, për të cilën ne po planifikojmë një udhëtim të komisionerit, por data e saktë nuk është vendosur ende. Siç e thatë, këtë muaj ai do të vizitojë Shkupin dhe Prishtinën, ka pohuar zëdhënësi i komisionarit Fyle.
Zgjedhja e Presidentit
Bashkimi Europian do ta ndjekë nga afër zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Këtë e bëri të ditur gjatë vizitës në Tiranë drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sanino, gjatë takimit me Komisionin e Integrimit. Procesi i zgjedhjes së Presidentit do të jetë pjesë e gjykimit tonë për çështjen e statusit të vendit kandidat, është shprehur zyrtari i lartë europian gjatë takimit në komision me deputetët e PD-së dhe PS-së.

Stefano Sanino
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Stefano Sanino, vlerësoi se kjo është një nga shtyllat në luftën kundër korrupsionit. Ne si Bashkim  Europian do të mirëpresim një hap të rëndësishëm, që do të ishte ky, pra një marrëveshje për të hequr imunitete, sipas modaliteteve për të cilat do të bien dakord të gjitha forcat politike në vend, u shpreh Sanino.

Sali Berisha
Kryeministri Berisha, gjatë takimit me zotin Sanino tha se pozita edhe opozita janë dakord për heqjen e imunitetit. Kanë pasur kundërshti lidhur me rrugën ligjore të procedimit, por në këtë rast është qeveria ajo që do të bëjë kompromisin, do të pranojë atë formë që opozita e quan më të përshtatshme për heqjen e imuniteteve në Shqipëri.

Edi Rama
Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Sanino, kryetari i PS-së rikonfirmoi angazhimin dhe vullnetin e opozitës për të kryer reformat e kërkuara për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama ka shprehur dhe shqetësimin për shkeljen e afateve për përfundimin e reformës zgjedhore dhe mosfunksionimin e Gjyqësorit.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›