Raporti i Mjaft vlerëson veprimtarinë e Kuvendit

Deputeti, Skënder Hasa duke votuar per kolegun e tij Asllan Dogjani. Foto: Mjaft
TIRANE- Lëvizja Mjaft ka publikuar raportin Unë votoj për periudhën janar- shkurt 2012, i cili sjell një panoramë të respektimit të rregullores së Kuvendit nga deputetët, transparencës së Kuvendit, përfshirjes së grupeve të interesit në diskutimet për projekligjet, prezencën fiktive të deputeteve ne mbledhjet e komisioneve parlamentare si dhe raste të votimit për kolegun.
Mjaft vlerëson se, në vija të përgjithshme veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë për periudhën janar-shkurt 2012, ka qenë e një niveli të kënaqshëm, ku veç konsultave të shpeshta dhe konstruktive me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, ka mbizotëruar fryma e konsensusit dhe e bashkëpunimit mes palëve politike.
Në bazë të të dhënave të raportit, Mjaft vë re se gjatë kësa periudhe ka patur një përmirësim të ndjeshëm në praktikën e seancave dëgjimore dhe konsultative të parlamentareve me përfaqësues nga grupet e interesit.
Sa i përket respektimit të rregullores, nga analiza e të dhënave të marra nga monitorimi rezulton që gjatë periudhës janar-shkurt 2012, të jenë konsumuar katër raste të shkeljes së parashikimeve të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku më flagrantja është kur deputeti i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Skënder Hasa ka votuar për kolegun e tij, Asllan Dogjani për projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit te Ministrave te Republikës se Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës se Sllovenisë, për shlyerjen e borxhit te Republikës se Shqipërisë ndaj Republikës se Sllovenisë. Ky moment është kapur edhe nëpërmjet fotografisë nga vëzhguesit e Mjaft.
Prezenca fiktive e deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare, sipas raportit të Majft, nuk është me një fenomen, por një rregull normal për Kuvendin e Shqipërisë. Sipas tyre, ky rregull i ri, i aplikuar nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, ku regjistrohen si te pranishëm deputetë të cilët kanë munguar në mbledhje, nuk bazohet në asnjë nen dhe pikë të Rregullores së Kuvendit.
Kjo praktikë është tepër problematike për mirëfunksionimin e komisioneve parlamentare dhe mund të konsiderohet një vepër penale, për sa kohe kemi të bëjmë me dokumente zyrtare të një institucioni shtetëror.- thuhet nw raport.
Në një vëzhgim të dedikuar të Komisionit të Integrimit, Mjaft ka vënë re se ndryshe nga legjislatura e kaluar, veprimtaria e Komisionit për Integrimin Evropian ka qenë mjaft aktive, për periudhën shtator 2011- Shkurt 2012, ku për periudhën në fjalë janë zhvilluar 25 mbledhje të këtij komisioni, nga 6 mbledhje në 3 vjet që ishin zhvilluar legjislaturën e shkuar.
Deputetët Pandeli Majko, Dritan Prifti dhe Gazmend Oketa janë deputetët që kanë ushtruar më pak të drejtën e votës në këtë periudhë. Sipas raportit të Mjaft, Majko ka qenë i pranishëm në 4 nga 17 seancat, Prifti në vetëm 6 seanca, dhe Oketa në 7 të tilla.
Sa i përket transparencës dhe eksesit në dekumentacion, Mjaft në raportin e saj thekson se, nga 6 ankesa administrative që i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare për asnjërën prej tyre.