E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekia: “Ok” për statusin kandidat të Shqipërisë, mbështetje Kosovës në shtimin e njohjeve

24-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon ambasadorët e rinj në Tiranë të Kosovës dhe Çekisë

Kryeministri Sali Berisha priti dje në takime të veçanta ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi si edhe Ambasadoren e Republikës së Çekisë, Bronislava Tomashova. Kryeministri Berisha, pasi iu uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, i siguroi ambasadorët për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për misionin e tyre.
Ambasadori Selimi i shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin personal të Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare, në mbështetjen e paçmuar e të pakursyer të shqiptarëve në Kosovë e në veçanti për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës si për sa i përket njohjeve të reja të saj, por edhe në të gjitha fushat.
“Shqiptarët ju janë përherë mirënjohës për atë çka ju keni bërë dhe vazhdoni të bëni për shqiptarët në përgjithësi dhe në veçanti për shqiptarët në Kosovë dhe Republikën e Kosovës,” u shpreh ai.
Në këtë kontekst, ambasadori Selimi vlerësoi realizimin e rrugës së kombit nga qeveria shqiptare si një nga ngjarjet më madhore, me një kontribut të jashtëzakonshëm për lidhjet vëllazërore midis shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë.
Më tej, në takim u rikonfirmua vendosmëria e të dy vendeve për të intensifikuar e konsoliduar bashkëpunimin midis të dy vendeve në të gjitha fushat dhe për të eliminuar të gjitha barrierat burokratike në shkëmbimet midis dy vendeve, bazuar mbi modelet më të shkëlqyera, të zbatuara tashmë me sukses në Bashkimin Europian.
Duke u ndalur te 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, u rikonfirmua se kjo ngjarje madhore në historinë moderne të shtetit shqiptar, por edhe të kombit do të festohet këtë vit së bashku nga të gjithë shqiptarët me dinjitet, si nderimi më i madh që i bëhet përpjekjeve shekullore të kombit për liri e dinjitet, si dhe ngjarjeve e figurave të rëndësishme historike të të gjitha trevave shqiptare, të cilët bënë të mundur krijimin e shtetit modern shqiptar, por edhe ëndrrën e çdo shqiptari për rikthimin në vlerat e lirisë dhe qytetërimit europian.
Ndërsa Ambasadorja çeke e siguroi kryeministrin se, Republika Çeke do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha hapat e saj të mëtejshëm, për të marrë sa më parë statusin e vendit kandidat dhe për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, ambasadorja Tomashova shprehu vlerësimin më të lartë të vendit të saj për miratimin e Planit të Veprimit për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, duke e konsideruar atë një zhvillim shumë të rëndësishëm në ecurinë pozitive që Shqipëria ka shënuar gjatë kësaj periudhe, në kuadër të procesit të integrimit e marrjes së statusit kandidat.
Haxhinasto-Tomasova: Intensifikim të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Çekisë/Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti në një takim kortezie, Ambasadoren e re të Republikës Çeke në Tiranë, Bronislava Tomášová. Ministri Haxhinasto u shpreh se niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve është i shumë i mirë. Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe Ministri Haxhinasto theksoi rëndësinë e intensifikimit të dialogut politik dhe në këtë kuadër, vlerësoi vizitën e ardhshme të Kryeministrit çek në Tiranë. Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, ai nënvizoi se në këtë aspekt ka ende hapësira për zgjerimin dhe konkretizimin e tij në të ardhmen. Më tej, ministri Haxhinasto shprehu mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme të dhënë nga Çekia në procesin e integrimit të vendit në BE, veçanërisht për liberalizimin e vizave, si dhe për vëmendjen dhe rëndësinë që Çekia i kushton Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, në këtë kuadër.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Tomášová siguroi për angazhimin e saj në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Ajo konfirmoi vullnetin e qeverisë çeke, edhe në cilësinë e Presidencës së Grupit të Vishegradit, për vijimësinë e mbështetjes për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE dhe shprehu bindjen se e ardhmja e Shqipërisë dhe e vendeve të BP-së është anëtarësimi në familjen evropiane. Gjithashtu ajo vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Lidhur me intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve Ambasadorja shprehu gatishmërinë e palës çeke për të ofruar ekspertizë në fusha si mjedisi, turizmi, veçanërisht ai malor, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›