Konservatori David Kameron, pasardhësi i Theçer
Paradoksi “Kameron” - lideri konservator, mes traditës dhe modernitetit. Programi i tij nuk është fort i ndryshëm nga ai i laburistëve, por ai ka arritur të interceptojë nevojën për ndryshim
Në zemër të politikës së David Kameron ekziston një paradoks që europianët do mund ta vlerësojnë shumë; është fakti se ai është kristian-demokrati klasik europian. Paçka se është lideri më konservator euro-skeptik qysh nga koha e Uinston Churchill. Idetë e tij janë të qendrës, me një prerje të fortë sociale. Partia Konservatore është konsideruar nga shumë - siç ka thënë vetë një konservator - “një parti e ashpër”. David Kameron ia ka arritur të ndryshojë shumë fytyra publike të Partisë Konservatore, duke eliminuar kështu elementet e racizmit e homofobisë, që ende sot mbeten brenda saj. Ai ka zhvilluar një koncept të quajtur “Shoqëria e Madhe”, një lloj kontrate ndërmjet shtetit, bashkësive dhe individëve, sipas të cilës të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre në ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjen për njerëzit e pambrojtur e të moshuar, më shumë vëmendje dhe siguri dhe për të pasur sa më shumë kujdes për rrugët dhe mjedisin. Kameron është në kundërshtim të plotë me idenë - që ai e quan “obsesion” i qeverisë laburistë - të “Shtetit të madh”, por në të njëjtën kohë, i siguron britanikët se Kujdesi Shëndetësor Kombëtar (NHS) - programi më i shtrenjtë shtetëror - do të garantohet, ashtu si edhe sistemi shkollor publik.
Ndryshimi që sjell me vete thekson një tjetër paradoks të këtyre zgjedhjeve: edhe pse Partia Konservatore ka “luftuar” me sloganin “Koha për Ndryshim”, politikat e saj nuk është se ndryshojnë shumë, në substancë, nga ato të qeverisë së laburistëve. Këto zgjedhje - të cilat shumë i kanë konsideruar emocionuese për rritjen mediatike (dhe jo elektorale) të Liberal Demokratëve - është luftuar në qendër.
Konservatorët do të bëjnë shkurtime në shpenzimet publike, pak më të forta dhe pak më të shpejta. Do të inkurajojnë prindërit dhe mësuesit për të hapur shkolla gjysmë-private. Do të ndihmojnë për më shumë biznese të vogla. Por asnjë nga këto gjëra nuk është aq e ndryshme, në parim. Edhe për atë që ka të bëjë me Europën, argumenti mbi të cilin qëndrimet e të dy partive janë shumë larg, efektet janë vetëm dytësore: një qeveri e laburistëve nuk do të hynte në zonën e euros (sidomos jo tani) dhe një qeveri konservatore nuk do të kërkonte të largohej nga BE.
Ndërkohë edhe pse shumë njerëz mendojnë se politika britanike është më e afërt me atë të Shteteve të Bashkuara, e djathta britanike dhe e djathta e SHBA-ve, sot, janë shumë larg njëri-tjetra (Kameron sheh tek Obama një model, si në mënyrën e paraqitjes, ashtu edhe tek politikat e tij ). E djathta amerikane ka vendosur që të udhëhiqet nga mediet e së djathtës ekstreme, ndërkohë që në Britani nuk ka një ekuivalent të tillë. Megjithatë, ka shumë komentatorë që kanë vënë në dukje, se politikat janë vetëm një pjesë e asaj që ne mund të presim, bile ndoshta më e pakta. Qeveria e ardhshme do të përballet me pasojat e një borxh të madh publik, me më shumë se 160 miliardë stërlina, të ngarkuara për çdo qytetar britanik. Gjithashtu do të thotë ulje të shpenzimeve, rritje të taksave, përfundimin njëherë e mirë të kohërave të gëzuara të laburistëve e rinj, por gjithashtu do regjistrojë edhe një seri e pafund konfrontimesh me punëtorët, mësuesit, universitarët, mjekët, shefat e forcave të armatosura, pra në të vërtetë me pothuajse të gjitha institucionet ekzistuese. Të qeveriset do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King, kohët e fundit tha se kryeministri i ardhshëm duhet të merret me aq shumë gjëra të pakëndshme saqë në të ardhmen me siguri nuk do të rizgjidhet.
Përkundër faktit se Kameron me siguri do të jetë jo popullor, britanikët do të tregojnë interes për një pasardhës të vërtetë të shtresës së lartë që pas kaq shumë kohësh bëhet prapë kryeministër. Nuk ishte më parë një, në fakt nuk ishte që nga koha e skocezit Sir Alec Douglas, në vitet gjashtëdhjetë. Pasi tij, konservatorët që janë bërë Kryeministra kanë qenë Eduard Heath, Margaret Thatcher dhe John Major - të cilët që të tre vinin nga shtresat e ulëta. Kameron, megjithatë, ka studiuar si fillim në kolegjin e Eton-it dhe më past në Oksford, në këto shkolla private ku elita britanike edukohet sipas traditës shekullore. Ai vjen nga një familje e pasur prej disa brezash dhe gruaja e tij është një fisnike. Edhe pse vetë ai ka dashur dhe është përpjekur të japë imazhin e një njeriu “të zakonshëm”, ai nuk arrin të fshehë theksin e veçantë të aristokratëve britanikë. Edhe pse kjo është një shoqëri që i kushton shumë vëmendje për prejardhjes sociale, pak janë ata që ndjejnë pakënaqësi ndaj tij për këtë arsye. Por jopopullariteti mund t’i ndryshojë gjërat, sidomos nëqoftëse ai - një njeri i pasur - do të spostojë standardet e jetesës së masave. Gordon Broun, një njeri inteligjent dhe i vendosur, por me një karakter shpesh gjaknxehtë e grindavec, nuk ka qenë kurrë i dashur nga shumë britanikë.
Kameron ka një joshje shumë më të madhe: dhe sigurisht, kjo gjë do t’i shërbejë.