E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat dhe greva po dëmtojnë turizmin shqiptar, por s’ka ende antimitingje të agjencive turistike

është bërë tanimë traditë në Shqipëri që, çdo sezon turistik të shoqërohet me komente entuziaste për ecurinë dhe zhvillimin e turizmit shqiptar. Fakti që po shtohet numri i turistëve (vjet me 36 %) tregon që edhe cilësia e plazheve po rritet. Natyrisht të qenurit në Mesdhe dhe Europë na rezervon potenciale mjaft pozitive për turizmin. Vendi ynë ka një linjë bregdetare prej 360 kilometra, për mos të folur pastaj për cilësinë dhe bukurinë e bregdetit, praninë e monumenteve, florën dhe faunën. Përparësia e bregdetit shqiptar në krahasim me vendet fqinje qëndron në faktin se krijon kushtet për një turizëm familjar pasi nga Velipoja deri në Vlorë është ranor e jo i thellë. Nga ana tjetër, sasinë më të madhe të të ardhurave të turizmit e sjellin emigrantët, të cilët kombinojnë çlodhjen me çmallen me të afërmit e kthehen të kalojnë pushimin në Shqipëri. Kështu që shqiptarët vërshojnë të eksplorojnë dhe për të parë ato vende mahnitëse që deri më sot i kanë shijuar vetëm në ekran, por edhe sepse zbulojnë një larmi shumë më të madhe e cilësore ofertash turizmi. Grupi i dytë i konsumatorëve të turizmit shqiptar janë padyshim bashkatdhetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, që nisen nga kurioziteti patriotik për të vizituar Shqipërinë. Natyrisht, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës rezultoi magjik për joshjen e shqiptarëve të Kosovës drejt bregdetit shqiptar.
Nga ana tjetër është i vërtetë shtimi i numrit të vizitorëve të huaj që rezultojnë se kanë hyrë në Shqipëri. Një pjesë e mirë e të huajve që kanë hyrë janë eksploratorë, ‘backpackers’ dhe jo pushues klasikë, të cilët janë të gatshëm edhe të paguajnë më shumë. Pra, bëhet fjalë për të huaj që derdhin në xhepat e turizmit shqiptar. Këta të huaj, që po vihen re të vizitojnë vendin tonë, vijnë shpesh me çadra për të parë Veriun apo me kampera e makina me rulotë. Individë kureshtarë në kërkim të aventurës, të joshur nga pushime aktive e kuptimplota e që e vizitojnë çdo vit Shqipërinë të ndjellur nga diversiteti fetar, kulturor, etnografik, monumental apo thjesht sepse vetëm vendi ynë u ka mbetur i pashkelur nga Europa. Pavarësisht se nuk janë bërë studime të mirëfillta cilësore lidhur me potencialin tonë turistik apo mënyrën më të mirë të zhvillimit të turizmit shqiptar, kemi një avantazh konkret në mirëpritjen dhe ofrimin e diçka je tjetër për një turizëm cilësor.
***
Mirëpo, sektori i turizmit qëllon edhe në një moment të keq të tregut ndërkombëtar të turizmit, i cili ka qenë ndër viktimat kryesore të krizës globale financiare. Në kushte krize, gjëja e parë që bëjnë njerëzit është heqja dorë nga gjërat jo të domosdoshme, siç është turizmi, gjë që ka çuar në një rënie të ndjeshme të sektorit në të gjithë botën. Por nëse ky problem mund të kompensohet me ofrimin e një shërbimi cilësor dhe me një kosto të ulët është politika, dhe më saktësisht opozita socialiste ajo që largon turistin. Të gjithë këto aksione radikale opozitare duke u amplifikuar trefish nëpërmjet medieve japin idenë e një klime destabilizuese, në tension permanent dhe jo shumë konfortuese për turistin. Veprimet alla-guerile të opozitës për të bllokuar rrugët kryesore të vendit përçojnë idenë se nuk ka siguri, as shtet ligjor. Në Tiranë kryesocialisti Edi Rama proteston për kutitë; kurse në asnjë pikë turistike, përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, nuk sheh njeri, biznesmen a investitor që proteston se po i cenohet biznesi i tij në prag të sezonit turistik 2010, edhe pse kjo po ndodh sot e gjithë ditën. Nuk është parashikuar akoma dëmi ose pasojat e këtij bombardimi negativ të imazhit të vendit në nivel ndërkombëtar. Deri më tani nuk kemi një reagim të kryetarit të Shoqatës së Hotelierëve Shqiptare, sesa realisht ndikon klima radikale e politikës në premisat e një sezoni turistik. Nevojitet që edhe Ministria e Turizmit të prononcohet për këtë prishje të dukshme imazhi të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›