Konsiderata të analistëve politikë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia
Në Ballkan, këto kohët e fundit, po flitet për përhapjen e vahabistëve që, sikurse thuhet përgjithësisht, janë islamikë radikalë, të cilët interpretimin nga ana e tyre të islamit përpiqen t’ua imponojnë të tjerëve në mënyrë të dhunshme. Kjo çështje u bë aktuale, sidomos pas incidentit në xhaminë e Isa Begut të Shkupit, nga e cila, sikurse është bërë e ditur tashmë, u dëbua me forcë imami i kësaj xhamie, për të cilin u tha se kishte lidhje me ekstremistët vahabistë. Por a janë këta vahabistë me të vërtetë të rrezikshëm dhe a përbëjnë ata kërcënim për sigurinë e vendeve (Maqedoni, Sanxhak, Kosovë, Shqipëri) të Ballkanit, në të cilin është konstatuar, ku më shumë e ku më pak, prania e tyre? Kësaj pyetjeje përpiqen t’i japin në prononcimet e tyre të ditëve të fundit në radiostacionin televiziv britanik BBC (seksioni maqedonisht) disa analistë politikë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët njëzëri janë të mendimit se, tani për tani, nuk ka asnjë rrezik që i ashtuquajturi vahabizëm të destabilizojë Ballkanin. Sipas tyre, një nga arsyet është se vahabistët nuk kanë mbështetje te besimtarët myslimanë. Megjithatë, në Kosovë ata veprojnë në mënyrë, pak a shumë, të organizuar, konsideron analisti Krenar Gashi i Institutit për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave të Kosovës (KIPRED), sipas të cilit autoritetet në Prishtinë, deri tani, kanë arritur t’i kontrollojnë ata. “Në Kosovë ka disa grupe të caktuara të organizuara në xhami, që praktikojnë një lloj të ndryshëm mësimi të islamit, të cilin do të mund ta quaja vahabist dhe jo islamik radikal. Por, sidoqoftë, shqetësues është fakti se këto grupe e zhvillojnë veprimtarinë e tyre jashtë kontrollit të Bashkësisë Islamike të Kosovës”, thekson analisti politik kosovar. Pyetjes nëse këto grupe kanë mbështetje politike, z. Gashi i përgjigjet, duke theksuar se “këto janë grupe të izoluara dhe nuk besoj se ata kanë ndonjë lidhje politike, sidomos jo me pushtetin aktual në Prishtinë”.
Sotiraq Hroni, drejtori ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësi të Tiranës, nga ana e tij, vlerëson se në Shqipëri nuk ka terren të përshtatshëm për vahabizmin. Sipas tij, këtë e kanë treguar edhe rezultatet e një sondazhi të zhvilluar në vend kohët e fundit. “Sondazhi tregoi se vetëm një e treta e popullsisë është fetare. Sidoqoftë, ka pasur disa shenja të ndryshme të islamizmit radikal te disa të rinj, që kanë mbaruar shkollat fetare në shtete islamike dhe arabe. Ka pasur përpjekje të caktuara edhe sa i përket angazhimit politik, por Kushtetuta nuk i lejon partitë, të krijuara mbi bazë fetare”, theksoi analisti politik shqiptar.
Analisti politik nga Maqedonia, Suad Misini, nga ana e tij vë në dukje nevojën e dallimit të ndryshimit mes vahabizmit dhe islamizmit radikal, të cilët gabimisht barasvlerësohen. “Të dyja kanë interpretimin e tyre të islamit, por vahabistët shfrytëzojnë metoda të dhunshme që t’ua imponojnë atë të tjerëve”, konsideron z. Misini, duke shtuar se “nuk mendoj se në Maqedoni janë të mundura situata kur ky ose ai interpretim i islamit do të shndërrohej në ideologji politike, në të cilën dikush do të rrokte armët dhe do të fillonte t’i impononte qëndrimet e veta në mënyrë të dhunshme”.
Edhe vetë aktivistët islamikë në Maqedoni konsiderojnë se nuk ka kërcënim nga vahabizmi. Sali Shazivari i Forumit Rinor Islamik në Maqedoni i tha BBC, se “përpjekje të tilla nuk do të gjejnë terren pjellor në Ballkan dhe, sidomos jo midis shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerësisht. Orientimi i shqiptarëve dhe i myslimanëve të Ballkanit është, në mënyrë rigoroze, euroatlantik dhe ata e konsiderojnë veten pjesë të kulturës perëndimore”, theksoi ai.
#