E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritan Hyska: Një reflektim artistik mbi peizazhin urban

Kërkimi artistik i Dritan Hyskës është përqendruar në realitetet urbane që i ka përjetuar së pari në vendlindje e më pas edhe në Itali e tjetërkund gjatë udhëtimeve. Në fotot e tij nuk ndjehet prania reale njerëzore, por vetëm produkti i kulturës, përllogaritjeve dhe teknikës së tij. Kjo mënyrë e të bërit art i fali fitoren e çmimit për artin bashkëkohor “Ardhje 2010”. Forma dhe hapësira që marrin në natyrë objektet, zgjojnë tek shijet e tij artistike një ndjesi që menjëherë synon të kthehet në art. Me një mesazh që nuk mungon asnjëherë...

Gjithnjë e kanë tërhequr objektet, arkitektura. Kanë ndjellë tek ai një interes krejtësisht të veçantë. Te ky artist, ato marrin një tjetër kuptim. Forma dhe hapësira që marrin në natyrë zgjojnë te shijet e tij artistike një ndjesi që menjëherë synon të kthehet në art. Me një mesazh gjithsesi. Ai e ka një ide mbi këtë fotografim të ndërtesave. Një ide fikse që e përçon gjithnjë e më shumë me koleksionin e imazheve dokumentuese të tij. Janë dokumente që rriten vazhdueshëm me kohën që shkon. Kështu puna e tij merr formën e një katalogu fotografish që lidhen me ndryshimet arkitektonike e realitetet urbane. Subjektet për t’u fotografuar i ka gjetur kryesisht në vendin e tij, në Shqipëri, ku ritmet e ndërtimit dhe nevoja e jetesës është vazhdimisht në ndryshim. Quhet Dritan Hyska dhe jeton e punon prej vitesh në Venecia të Italisë. është ndër ata artistë të rinj shqiptarë që fatin e kanë kërkuar gjetkë. Jo për tekë, por për pamundësi. “Në ato vite Shqipëria nuk ishte një pikë e fokusuar tek arti. Politika gjithmonë ka zënë vend të parë te shqiptarët dhe për artin nuk ka vend”, shprehet ai. Po drejt artit ç’e shtyu? ç’forcë i dha fuqi për të lënë pas gjithçka e për ta ndjekur pas? Dritani, as vetë nuk e di me saktësi. Ndoshta se gjithçka vjen rastësisht dhe asnjëherë nuk e kupton forcën që qëndron pas saj. Ndoshta sepse ndjek momentin që të shtyn të krijosh diçka që nuk ekziston, që bën të mundur t’i shikosh ngjarjet, njerëzit, objektet, gjithçka, nga një tjetër këndvështrim. Një mënyrë aspak e zakonshme dhe kjo i jep ndihmë imagjinatës... dhe ja, një krijim. Art. Atë që të tjerët e kanë të vështirë ta bëjnë. Frymëzimin e gjen te natyra. Ajo i jep shtytje për të vijuar në art. Dritanit i intereson çdo gjë që e rrethon, vendet më shumë, gjithçka njeriu ka krijuar, “natyra e dytë” që vjen si një shtojcë e së parës i zgjon kureshtjen. Dritani atë dëshiron të dokumentojë.
Pak kohë më parë u vlerësua me çmimin “Ardhje 2010”, në konkursin e përvitshëm të artit bashkëkohor në Shqipëri. Juria e vlerësoi me motivacionin: “Punët e tij shfaqin një botëkuptim të ri mbi idenë e monumenteve të kohës sonë. Fotot e tij nuk janë thjesht dokumentim i realitetit, por artikulim i së tashmes në gjuhën pamore. Strukturat arkitektonike që mbushin peizazhin shqiptar dhe që artisti zgjedh t’i fotografojë, kujtojnë skulpturat minimaliste. Duke iu shmangur nostalgjisë, këto ndërtesa të pambaruara ofrohen si monumente, përkujtimore të historisë dhe politikës së kohës sonë”. Dhe artisti e ka një merak për vendin e tij. “Zhvillimet që po ndodhin në sistemin urban në Shqipëri janë një abuzim i frikshëm që po bëhet me natyrën. Ndjej një lloj vetmie teksa i shikoj këto struktura të mëdha arkitektonike të cilat në termin e dimensionit, njeriu vazhdimisht kërkon t’i tejkalojë. Kam menduar se e gjithë kjo masë e ndërtesave nuk janë asgjë më shumë se një zgjedhje e ndërmjetësuar nga njeriu gjatë evolucionit të tij dhe që e çoi atë shumë larg idesë së lidhjes së njeriut me natyrën. Ndonjëherë duket se natyra e re nuk është më e përbërë nga elemente natyrore, por vetëm beton dhe materie”, thotë ai. Me syrin e këtij artisti të ri dhe të imazheve që përcjell, këto objekte përtej historisë që mbartin, vijnë për publikun si monumente të kohës që jetojmë, monumente që mbartin me vete problematika që qëndrojnë pezull, duke e shtyrë realitetin të qëndrojë mbi një identitet të lëkundur dhe të dobët. Në të bukurën Venecia ka gjetur me siguri një vend të qëndrueshëm për t’u “ngulur”. Pikërisht aty përfundoi edhe studimet e larta, në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias ku u diplomua në vitin 2005. Aty nuk e ka ndier asnjëherë peshën e të qenit “i huaj”, përkundrazi një lloj interesi më shumë ndihet ndërsa artisti tregon se vjen nga një vend ballkanik. Në Shqipëri mundohet të vijë sa herë ka mundësi, edhe pse interesi i tij artistik, në këtë periudhë është i lidhur me vendin e tij. Edhe pse qëndron pak, ndryshimet dhe impakti që i jep Shqipëria është gjithnjë i fortë dhe tronditës. Por nuk i shikon pozitivisht. “Tek ne ndihet gjithnjë nostalgji për diçka që po humbet”, komenton Dritani. Artisti nga Korça, gjatë këtyre viteve ka marrë pjesë në një sërë konkursesh e ekspozitash të përbashkëta, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. çdo vit, duke filluar nga 2003, ai ka qenë i angazhuar në veprimtari të ndryshme artistike, siç janë Bienalja e Venecias në Itali, konkursi ndërkombëtar i arteve pamore “Onufri” në Tiranë, në Spanjë e Argjentinë gjithashtu... Aktiviteti i fundit ku ka marrë pjesë është “Moscow International Biennale for Young Art”. Pjesëmarrja në këtë veprimtari e detyroi të mos ishte në Tiranë për të tërhequr çmimin “Ardhje 2010”, të cilin Dritani e konsideron si shumë të rëndësishëm për karrierën. Do të vazhdojë sërish me kërkimet e tij artistike, vazhdimisht do të dokumentojë ndërtesa të papërfunduara, monumente gërmadhë në zemër të vendit, e gjithçka për të shtyrë shikuesin drejt një refleksioni artistik mbi peizazhin urban bashkëkohor.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›