E Diel, 1 Nëntor 2026

Konstitucionalistët: Gjykata e Lartë keqinterpretoi Kushtetutën për MediunNga TemaPushimi i dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, sipas konstitucionalistëve, ka qenë një keqinterpretim i Kus

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Konstitucionalistët: Gjykata e Lartë keqinterpretoi Kushtetutën për MediunNga Tema

Pushimi i dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, sipas konstitucionalistëve, ka qenë një keqinterpretim i Kushtetutës nga Gjykata e Lartë. Sipas tyre, imuniteti e mbron deputetin për çështjet që janë nën hetim, dhe jo kur ato janë në gjykim. Ata shprehen se ekzistojnë hapësira ligjore për të rihapur çështjen. Ndërkohë, në lidhje me vendimin për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Mediut, ka reaguar edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit tha se prokuroria bëri gjithçka që i takonte për hetimin e dosjes, ndërsa vendimi i takonte gjykatës. Familjarët e viktimave të Gërdecit ndërkohë kanë deklaruar se do të kërkojnë rihapjen e çështjes, në të kundërt do të hyjnë në grevë urie.

Konstitucionalistët

Juristi Gent Ibrahimi është shprehur dje për mediet se, vendimi i Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes gjyqësore në ngarkim të Fatmir Mediut ka qenë një gabim themelor dhe keqinterpretim i Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale. Sipas tij, “të paktën në tri çështje Gjykata e Lartë është shprehur për vazhdimin e procesit gjyqësor në ngarkim të personave me imunitet dhe më pas në tri rastet, për arsye të ndryshme, gjykata ka arritur në përfundimin se procesi duhet të ndërpritet. Gjykata duket sikur e gjen justifikimin ligjor në dy nene. Për një arsye apo për një tjetër, gjykata duket se anashkalon një fakt shumë të rëndësishëm, fakti që qoftë Kushtetuta, qoftë Kodi, flasin për ndjekje penale për gjykim. Pra, deputeti është i mbrojtur nga veprimet me karakter hetimor të ndërmarra nga prokuroria e policia gjyqësore, por jo nga një proces penal. Të pretendosh që një deputet është i mbrojtur nga një proces gjyqësor penal, është si të pohosh se deputetët nuk janë të barabartë me të gjithë shqiptarët. Ky është një gabim themelor, keqkuptim dhe keqinterpretim i rëndë i Kushtetutës, por edhe i Kodit të Procedurës Penale. Për fat të keq kjo gjë po përsëritet”. Sakaq, ai pohoi faktin se ekziston mundësia ligjore për të kërkuar dhe rihapur çështjen gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili tashmë do të mbajë postin e ministrit të Mjedisit. “Në përgjithësi ligji e ndalon gjykimin e së njëjtës çështje dy herë, por ky është një përjashtim. Ka një nen të posaçëm në Kodin e Procedurës Penale, që mundëson rigjykimin e së njëjtës çështje, lidhur me të njëjtin person. Dhe është pikërisht ky rasti. Është nevoja për të marrë një autorizim nga Kuvendi për të proceduar penalisht një nga anëtarët e saj. Nuk quhet që kemi të bëjmë me procedim të së njëjtës çështje. Prokuroria duhet të ri-kërkojë lejen e Kuvendit”, - tha Ibrahimi, i cili nuk nguroi të kërkonte përgjegjësitë për mbylljen e dy çështjeve më të bujshme, atë të Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës, edhe tek organi i akuzës. Juristët shprehen se një nga rrugët për ta gjykuar Mediun, është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga palët e interesuara në proces apo një grup deputetësh, që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Reagimi i kryeprokurores

Pas mbylljes së dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dje ka reaguar edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit është shprehur se organi i akuzës bëri gjithçka ishte e mundur për hetimin e kësaj dosjeje dhe mbyllja e saj është kompetencë e gjykatës. “Ne kemi mbajtur një qëndrim të ndryshëm, kemi dhënë argumente, po në fund të fundit është gjykata ajo që vendos”, - u shpreh kryeprokurorja, Ina Rama. Prokurorja e Përgjithshme nuk dha asnjë përgjigje, nëse çështja Mediu, për institucionin që ajo drejton, quhet e mbyllur apo do të shihen të tjera hapësira ligjore për ta rikthyer atë për gjykim. Komentet e Ramës janë bërë gjatë një takimi për luftën kundër korrupsionit, organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë. Ndërkohë, i pranishëm në këtë takim, ministri i Shtetit, Genc Pollo, ka sulmuar direkt prokurorinë, duke deklaruar se në të ndodhen dele të zeza dhe ato duhet të largohen nga organi i akuzës. Në lidhje me pushimin e dosjes penale ndaj Fatmir Mediut, Pollo përsëriti sloganin e Berishës, duke mos e mos e konsideruar imunitetin pengesë për hetimet.

Familjarët e viktimave: Do kërkojmë rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Mediut

Familjarët e viktimave të Gërdecit janë shprehur dje se, do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për gjykimin me çdo kusht të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dosja e të cilit u mbyll dy ditë më parë nga Gjykata e Lartë për shkak të imunitetit të deputetit. Ata janë shprehur se do të kërkojnë rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Mediut dhe nëse kjo gjë nuk realizohet, ata do të hyjnë në grevë urie. “Do të vazhdojmë me hapat tona, do të kërkojmë një hapësirë ligjore për të rihapur çështjen. Në rast se nuk do të gjejmë mbështetjen e shtetit, do të hyjmë në greve urie”, - thonë familjarët e viktimave të 15 marsit. Ata thonë se nuk kërkojnë gjë tjetër nga shteti, veçse drejtësi dhe ndëshkim të atyre që u morën jetën djemve, vajzave, nipërve dhe prindërve gjatë shpërthimit tragjik në Gërdec. Ndërkohë, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga ngjarja e rëndë, banorët e Gërdecit shprehen se qeveria nuk e ka mbajtur plotësisht premtimin e saj për kompensim të shtëpive dhe dhënien e ndihmës sociale për të gjitha familjet dhe fëmijët e mbetur jetimë. Jo vetëm kaq, po Bashkia e Vorës ka hedhur në gjyq disa prej tyre, pasi, sipas saj, ata kanë përfituar më shumë se sa u takonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›