Topalli u dërgon 64 letra deputetëve të PS-së: “Mandati ju skadon më 6 mars”
Kryetarja e Kuvendit ka nisur dje letra për çdo deputet të PS-së. Ajo i fton të ndërpresin bojkotin dhe të mos djegin mandatin
Eljona Ballhysa
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nëpërmjet një letre drejtuar të 64 deputetëve të Partisë Socialiste, u ka bërë thirrje atyre të ndërpresin bojkotin dhe të ndjekin seancat parlamentare, ndërsa u ka kujtuar se mandati iu skadon më 6 mars në rast se nuk bëjnë betimin e deputetit. Topalli ka zgjedhur t’ua dërgojë këtë letër deputetëve të PS-së pas katër muajsh që ata kanë bojkotuar punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkaq, në bazë të Rregullores së Kuvendit, ditën e hënë, më 18 janar, fillon sesioni i dytë i punimeve të Kuvendit dhe për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit i fton deputetët të ndërpresin bojkotin dhe të ndjekin seancën, e cila në axhendën e saj ka të parashikuar zhvillimin e një debati për situatën emergjente të krijuar në komunat e qarkut të Shkodrës për shkak të përmbytjeve. Në letrën dërguar deputetëve të PS-së, Topalli, përveçse i ka njoftuar për datat e zhvillimit të seancave parlamentare, u ka kujtuar atyre dispozitat kushtetuese për përfundimin e mandatit të deputetit. Ajo ka cituar Nenin 71 të Kushtetutës, që sipas saj, përcakton se mandati i deputetit skadon në rast se ai nuk bën betimin dhe kur mungon pa arsye për gjashtë muaj në Kuvend. Sipas Topallit, data e skadimit të mandatit të deputetëve të Partisë Socialiste në rast se ata vazhdojnë të mos marrin pjesë ne seancat parlamentare duke mos bërë kështu betimin e deputetit, është 6 marsi 2010. Në këtë përfundim kryetarja e Kuvendit ka dalë pa iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur për këtë çështje ekzistojnë opinione të ndryshme dhe shpjegime kontradiktore që i janë bërë së fundi Kushtetutës nga konstitucionalistë dhe juristë të ndryshëm.
Letra
Letra e kryetares së Kuvendit është e njëjtë për të gjithë deputetët e Partisë Socialiste dhe i është drejtuar secilit prej tyre duke përjashtuar kryetarin Edi Rama, i cili nuk është deputet. Që në fillim të letrës Topalli ka theksuar se këtë nismë e ka ndërmarrë në të mirë të vendit. “Me dëshirën më të mirë për vendin dhe ju, ndiej për detyrë t’ju shkruaj këtë letër e t’ju vë në dijeni: Më 7 shtator 2009 u mblodh Kuvendi i Shqipërisë duke shënuar fillimin e sesionit të parë të Legjislaturës XVIII. Në këtë sesion, në 17 seanca plenare u miratuan 69 ligje dhe 20 vendime që u përkasin reformave të rëndësishme në fushën ekonomike dhe fiskale, çështjeve sociale, në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë dhe të Drejtësisë. Kuvendi zhvilloi punimet në këtë sesion pa praninë e deputetëve të opozitës”, - është shprehur Topalli, ndërsa ka kujtuar ftesat e herëpashershme që u ka drejtuar deputetëve socialistë për të ndjekur punimet e Kuvendit. “Si kryetare e Kuvendit, në mënyrë të vazhdueshme kam bërë thirrje që çdo deputet i zgjedhur duhet të zërë vend në Kuvend dhe të marrë pjesë në veprimtarinë e tij, në përmbushje të detyrimit si përfaqësues i zgjedhësve.
Në ushtrim të funksioneve të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ju informoj se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në Nenin 71, pika 2 parashikon, ndër të tjera: ‘Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin...; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend’.
Më 6 mars 2010 mbushen 6 muaj nga mbledhja e Kuvendit në Legjislaturën XVIII. Sesioni i ri i legjislaturës do të mblidhet më datë 18 janar 2010. Deri më datë 6 mars 2010 parashikohet zhvillim i seancave plenare në datat 18, 21, 28 janar 2010; 4, 11, 18, 25 shkurt 2010, si dhe më 4 mars 2010. Në këto rrethana ju njoftoj se në këto seanca plenare ju keni mundësinë që të ndërprisni bojkotin dhe të mos lejoni mbarimin e mandatit tuaj si për shkak të mosbërjes së betimit, ashtu edhe për shkak të mospjesëmarrjes në punimet e Kuvendit për gjashtë muaj rresht”, - shkruan Topalli në letrën drejtuar deputetëve të PS-së. Në përfundim ajo i fton ata që të ndjekin punimet e Kuvendit. “Në këtë letër ju ftoj, me dëshirën më të mirë që të merrni pjesë në punimet e Kuvendit e të përmbushni kështu detyrimet tuaja kushtetuese. Duke shpresuar në praninë tuaj në Kuvend që në seancën plenare të hapjes së sesionit të dytë të Legjislaturës XVIII (18 janar 2010, ora 17.00), ju njoftoj se në këtë seancë në rendin e ditës do të ketë debat mbi gjendjen e emergjencës civile në Shkodër”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit.
16 Janar 2010