Konstituohet Asambleja e Skenderajt
Kuvendi Komunal i Skenderajt, i dalë nga zgjedhjet e 15 nëntorit, mbajti sot seancën inauguruese. Betimin, sot e dhanë 31 këshilltarët e rinj, ndërsa kryesues i Kuvendit u zgjodh Ismet Salihu.
Betimin e dha edhe kryetari i rizgjedhur, Sami Lushtaku, i cili për zëvendës përsëri do ta ketë Abdyl Ymerin. Qeverisja e re lokale ka pësuar disa ndryshime nëpër drejtori, raporton KosovaPress.
Për dallim nga mandati i kaluar, kur në asamble ishin vetëm tri subjekte politike, PDK, LDD dhe AKR, këtë mandat, një ulëse e ka fituar edhe LDK-ja. Madje, Sejdi Koca e ka udhëhequr seancën e parë si këshilltari më i moshuar.
Shumicën në Asamble e ka PDK-ja, me 26 vende, LDD-ja ka 3 këshilltarë, ndërsa AKR-ja dhe LDK-ja nga një.
Deputetët pas dhënies së betimit, me vota e zgjodhën kryesuesin e asamblesë, Ismet Salihun, që për kundërkandidat pati Hajriz Kocin, po ashtu nga PDK-ja.
Nga ana e tij, Sami Lushtaku është zotuar se do të punojë për të mirën e qytetarëve, përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve shëndetësore dhe sociale, administratës efikase dhe arsimit cilësor.