Gjendet i vdekur 71-vjeçari në pronën e tij, dyshohet për vrasje
Gjendet i pajetë në një nga pronat e shumta të tij, dyshohet të jetë vrarë me sende të forta. Një 71-vjeçar është gjetur i vrarë dje në pronat e tij në fshatin Gror në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, viktima është 71-vjeçari Shefik Grori, banues në kryeqytet. Trupi i tij i pajetë u gjet në afërsi të banesës, rreth paradites së ditës së djeshme. Policia e Tiranës ka shkuar në vendngjarje ku ka ngritur një grup pune për të hetuar këtë rast. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se viktima ka pasur plagë në kokë dhe dyshohet se është qëlluar me mjete të forta, të cilat i kanë sjellë edhe vdekjen. Po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Trupi i viktimës është gjetur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme nga banorë të zonës në fshatin Gror. I moshuari ishte i shtrirë dhe gjendej në afërsi të banesës së tij. Janë afruar dhe e kanë parë atë të mbuluar nga gjaku dhe pa shenja jete. Menjëherë është lajmëruar policia e kryeqytetit, e cila ka shkuar në vendngjarje.
Hetimet
Policia e kryeqytetit ngriti një grup pune për të hetuar këtë ngjarje. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe grumbulluar prova që pritet të çojnë në identifikimin e autorit të vrasjes. Nga grupi hetimor u morën dëshmitë e banorëve të zonës dhe familjarëve të të moshuarit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima kishte dy plagë në kokë, si dhe dëmtime në trup. Dyshohet se ato janë shkaktuar nga goditja me mjete të forta. Ndërkohë që nga hetuesit nuk janë gjetur në trup plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka qenë pikërisht goditja me mjete të forta që mund t’i ketë marrë jetën 71-vjeçarit. Viktima Shefik Grori, lindur dhe banues në Tiranë, ishte larguar nga banesa e tij në kryeqytet që më datë 25.12.2009 dhe kishte shkuar për të jetuar tek pronat e tij, të cilat ndodheshin në fshatin Gror, ku dhe jetonte i vetmuar. Sipas burimeve nga grupi hetimor, po punohet në disa pista. Një prej tyre dyshohet të jetë vrasja për motive pronësie. Kjo, pasi 71-vjeçari dyshohet të ketë në pronësi një sasi të madhe tokash. Megjithatë po punohet edhe në pista të tjera, një ndër të cilat dyshohet edhe ajo e ndonjë konflikti të mundshëm.
Detaj
71-vjeçari dyshohet të ketë në pronësi shumë toka, po punohet edhe në pista të tjera