Durrës/Tentoi të vriste një person, arrestohet në traget 19-vjeçari
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 19-vjeçar që kërkohej për “vrasje të mbetur në tentativë”, i cili po tentonte të largohej në drejtim të Italisë. Në prangat e specialistëve të Seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit ra shtetasi Elson Shehi, lindur e banues në Tiranë. Sipas policisë, ndalimi i tij u krye pasi rreth orës 21:30 të së hënës, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë një lokali, pas një konflikti për motive të dobëta, 19-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë 24-vjeçarin Denis Redhaj, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “vrasje të mbetur në tentativë”. Ndaj të plagosurit u dha ndihma e parë, duke e dërguar atë në spital, ku pas ndërhyrjes së mjekëve ai është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia u vu në ndjekje të autorit të plagosjes, i cili arriti t’i shmangej arrestimit, duke u fshehur. Por, pas punës së bërë nga policia, 19-vjeçari u ndalua në një kohë tepër të shpejtë, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria për në drejtim të Italisë me traget. Pas një koordinimi me shërbimet e Policisë Kufitare të Qarkut Durrës u rikthye për kontroll trageti dhe pas një kontrolli të detajuar, specialistët e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës bënë prangosjen e autorit të dyshuar.