E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsulli italian në Vlorë, Sergio Strozzi: Jam gay

VLORE- Flet me dashuri për Shqipërinë e sidomos për Vlorën, qytetin ku ka jetuar katër vitet e fundit. Thotë që do ta dojë gjithmonë këtë qytet sepse ka marrë më të mirën e tij. Ndihet i respektuar dhe i vlerësuar. Është njohës i mirë i problematikave që ka jugu i Shqipërisë sepse e ka vizituar dhe e ka studiuar me detaj këtë zonë. Gjatë 4 viteve të drejtimit të konsullatës italiane në Vlorë, Strozzi organizoi mjaft aktivitete ku ndër më të njohurit kanë qenë ata të stinës “Dy popuj një det një miqësi”. Pikërisht në këto aktivitete ai shihej i shoqëruar me ideatorin e Logos së kësaj Stine Simone Mazzetto i cili më pas u zbulua se ishte bashkëjetuesi i tij. Mazzeto një arkitekt i cili kishte punuar më parë për Versace gjatë këtyre viteve u bë i njohur në Shqipëri me studion arkitekturore “Stile”. Konsulli italian Sergio Strozzi vjen në këtë rrëfi m të fundit ekskluziv ku tregon mbi problemet që ka parë përgjatë këtyre viteve si dhe ato çfarë i kanë lënë mbresa mbi Shqipërinë.
Si kanë qenë këto vite të punës tuaj në Shqipëri?
Më duhet të them që kanë qenë katër vite intensive dhe shumë interesante. Shqipëria është një vend vërtetë interesant për mua si pjesë e eksperiencës sime diplomatike. Populli shqiptar është plot energji dhe këto janë të dhënat e para që dua të jap. Menjëherë sapo erdha, puna ime nisi me nevojën për të ndryshuar dhe për ta transformuar konsullatën. Në atë kohë funksiononin akoma vizat shengen dhe konsullata jepte nga 12 mijë deri në 15 mijë viza brenda vitit për qytetarët shqiptarë. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme që mendova të bëja ishte riorganizimi i zyrës së konsullatës që të ishte sa më shërbyese, transparente dhe sa më afër qytetarëve. Sigurisht që ky operacion përfshiu edhe riorganizimin e personelit. Jam përpjekur që objektivi im të jetë që imazhi qoftë edhe i jashtëm i konsullatës të ishte një imazh transparent i një zyre serioze, korrekte dhe që vepron ligjërisht, kur sipas ligjit duhet të thotë 'po', thotë gjithmonë 'po', dhe kur duhet të japë përgjigje negative, i jep ato gjithmonë në bazë të termave ligjorë. Mendoj se qytetarët e Vlorës dhe të qyteteve të tjera të jugut e kanë vënë re këtë operacion, që nuk ishte i lehtë, por ishte i nevojshëm për t'i dhënë një imazh të ri konsullatës italiane në Vlorë për të gjithë klientët dhe për qytetin. Më ka ndodhur shpeshherë të dëgjoj komente nga ana e autoriteteve vendase, por edhe nga ana e qytetarëve që më thonin se sa shumë e vlerësonin këtë imazh të ri të konsullatës sonë. Më duhet të them se kjo është diçka shumë e rëndësishme sa i përket marrëdhënieve dypalëshe dhe për mikpritjen e konsullatës dhe të personelit të saj brenda qytetit. Ndoshta kjo nuk ka qenë gjëja më e rëndësishme. Gjëja thelbësore që ka ndodhur në këto katër vjet janë objektivat e reja që i kemi vënë vetes si konsullatë. Në fillim konsullata shihej nga të gjithë qytetarët shqiptarë si zyra e vizave. E quanin me një shprehje disi të shëmtuar "zyra e vizave" si një fabrikë që prodhon viza (qesh). Me aprovimin e plotë të ambasadës dhe ambasadorit, objektivi që unë i dhashë vetes që t'i bëja shqiptarët dhe italianët që janë vendosur në këtë zonë të Shqipërisë, të kuptonin se konsullata ishte një strukturë diplomatike me një funksion shumë më të madh sesa dhënia e vizave apo e legalizimeve. Kështu që në vitet 2008 - 2009 filluam të bënim aktivitete të ndryshme në sektorë të tjerë, në atë tregtar e ekonomik. Unë kam udhëtuar shumë për të njohur të gjitha qytetet bashkë me autoritetet përkatëse, qytetarët, artistët, intelektualët, sipërmarrësit, ndërmarrjet shqiptare e italiane në mënyrë që të arrinim ta bënim sa më të lehtë forcimin e marrëdhënieve midis jugut të Shqipërisë me Italinë. Në të gjitha qytetet e jugut të Shqipërisë kemi organizuar shumë aktivitete kulturore. E filluam me "Javën e gjuhës italiane", shumë evente të tjera, kinema, takime me studentët e vizita nëpër shkolla. Filluam të bënim aktivitete edhe bilaterale në shkallë kombëtare si sezoni "Dy popuj, një det, një miqësi", që pati sukses. Pastaj vazhduam në 2011-ën me rastin e 150-vjetorit të Pavarësisë së Italisë, sollëm edhe këtu aktivitete kulturore, gjuhësore e muzikore në zona të ndryshme të jugut të Shqipërisë. Ndërsa në 2012 dua të kujtoj vetëm koncertin që kemi organizuar këtu në Vlorë si homazh për "100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë". Çdo vit jemi përpjekur që të rrisim ritmin e këtyre aktiviteteve kulturore e gjuhësore për promovimin e gjuhës në mënyrë që t'i afrojmë sa më shumë qytetarët shqiptarë me Italinë. Besoj se rezultatet janë të mira. Nuk mund ta them unë vetë. Ndoshta do të duhet të intervistoni qytetarët apo autoritetet lokale (qesh). Më duhet të them se fakti që unë personalisht kam marrë titujt "Qytetar nderi" i Gjirokastrës dhe i Vlorës është që nder që më është bërë, pikërisht lidhur me të gjitha këto aktivitete që kemi bërë bashkë.

Mund të thoni pesë gjëra që ju kanë pëlqyer nga Shqipëria në këto katër vjet dhe pse të tjera që nuk ju kanë pëlqyer?
Kjo po më duket si një lojë midis miqsh (qesh). Ato që më kanë pëlqyer më shumë, ose më mirë e fillojmë me ato që nuk më kanë pëlqyer që ta mbyllim me të bukurat. Gjërat negative që kam parë e kam jetuar. Ndërkaq mund të them që duke lënë Vlorën dhe Shqipërinë, për t'u kthyer në Romë në Ministrinë e Jashtme është një kujtim shumë pozitiv dhe një ndjesi pozitive për atë që kemi bërë bashkë, për miqtë shqiptarë dhe për perspektivën e Shqipërisë. Ndër pesë gjërat negative do të përmendja patjetër problemin akoma aktual të Shqipërisë që të modernizohet. Në veçanti fatkeqësisht jam përballur në punën time të përditshme në raste të shumta me problemin e korrupsionit, që nuk është vetëm problem që pengon arritjen e integrimit në Bashkimin Evropian, por është një problem i të përditshmes së qytetarëve shqiptarë. Ky mendoj se është problemi i parë që më ka dalë përpara syve të mi. E kam perceptuar si një pengesë pikërisht për zhvillimin e qetë e të rregullt të Shqipërisë, për modernizimin e saj dhe mbi të gjitha për qetësinë e qytetarëve shqiptarë. Të tjera gjëra negative që ndoshta vijnë pjesërisht për shkak të defektit në komunikim nga ana jonë. Kur ne jepnim shërbime për vizat dhe legalizimet shpesh na duhej t'i thonim jo kërkesave dhe qytetarët shqiptarë kishin gjithmonë ndjesinë se pas kësaj fshihej diçka. Më duhet që unë dhe personeli që nga viti 2008 e deri më sot, kur kemi qenë ne, të gjitha shërbimet janë dhënë ose nuk janë dhënë vetëm në bazë të ligjit. Askush nuk ka abuzuar kurrë me postin, për të dhënë ose jo shërbimet e kërkuara. Të gjithë qytetarët që donin mund të paraqisnin ankesa, të na shkruanin e-mail. I kemi kthyer të gjithëve një përgjigje. Edhe në rastet negative ata në fund kanë kuptuar arsyet e qëndrimin që në kemi mbajtur. Vlora është një qytet i mrekullueshëm dhe ka një potencial të madh. Ndër gjërat negative për të cilat nuk mund të shtiremi sikur nuk janë, është patjetër mbindërtimi progresiv i bregut që të gjithë autoritetet, qytetarët, sipërmarrësit, ndërmarrjet e ndërtuesit do të duhej ta ndalonin për të evituar shkatërrimin definitiv. E them sepse është një qytet që e kam dashur, e dua dhe do e mbaj gjithmonë në zemër. Besoj se ka mundësitë për të pasur një perspektivë të mirë në turizëm duke tërhequr jo vetëm turistët vendas e ballkanikë, por edhe ata evropianë. Por nëse shkohet më tej me ndërtimet, nuk do të jetë më një pikë tërheqëse për një turizëm cilësor. Rrezikon të bëhet një qytet tepër i ndërtuar, me shumë apartamente por që nuk do të ofrojë as kulturë, as shërbime, dhe peizazhi do të transformohet. Këto i kam thënë edhe në hapjen e sezonit turistik në vitin 2010. I kam thënë kryetarit të bashkisë z. Shpëtim Gjika: "Duhet zgjedhur në këtë moment se çfarë do të bëhet Vlora. Nëse doni të vazhdoni me këtë vrull ndërtimesh, apo do vendosni rregull dhe sipërmarrësit të synojnë në të tjera fusha si shërbimet cilësore për turizmin, hotele cilësore, kulturë dhe teatro, të ristrukturohen muzetë e të hapen qendra sportive, kinema. Këto mund të mirëpresin turistët që shkojnë për ta bërë plazhin në Radhimë apo edhe më poshtë dhe fundjavën ta kalojnë në Vlorë për të vizituar qendrën historike të ristrukturuar dhe kulturën e qytetit". Nuk e di nëse bëhen pesë gjëra negative, por këto janë pikat më kyçe. Kurse sa i përket gjërave pozitive sigurisht që janë shumë më tepër se pesë. Mikpritja e madhe e qytetarëve shqiptarë, zemërgjerësia e tyre, mentaliteti mesdhetar që është vërtetë një kulturë e integrimit midis racave, kulturave e fesë. Kjo më ka surprizuar shumë pozitivisht. Kur erdha këtu nuk e njihja fare Shqipërinë e shqiptarët përveçse ndonjë takim të rrallë që mund të kisha bërë. Besoj se të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri, sidomos në jug të saj, e veçanërisht në qytetin e Vlorës ndihen si në shtëpinë e tyre. Këto janë cilësitë e popullit shqiptar. Më duhet të shtoj tek gjërat pozitive, bashkëpunimin që kam marrë nga autoritetet lokale për organizimin e aktiviteteve kulturore. Kryetari i bashkisë së Vlorës na ka ndjekur gjithmonë në aktivitetet tona kulturore, na ka ndihmuar me teatrin, me Pallatin e Kulturës. Po ashtu edhe prefekti i këtij qyteti i cili ka qenë shumë afër dhe i ka mbështetur të gjitha aktivitetet tona. I referohem këtu edhe autoriteteve të qyteteve të tjera, si kryetari i bashkisë së Fierit, apo nënkryetari. Dua ta citoj në veçanti sepse është një person që më jep besim për përmirësimin e vazhdueshëm të efikasitetit në administratën publike, Florian Muçaj. Po ashtu edhe drejtuesit e qytetit të Gjirokastrës kanë qenë shumë aktivë, si prefektja Mimoza. Kryetari i ri i bashkisë së Sarandës Stefan Çipa, më duket tejet i bindur që t'i japë zgjidhje problemeve të këtij qyteti, analoge me ato të Vlorës, madje shumë më tepër problematike. Janë njerëz pozitivë që më kanë dhënë besim për të ardhmen. Më duhet të përmend edhe bashkëpunimin që kemi marrë nga sektori i sigurisë, si drejtori i përgjithshëm i policisë së Vlorës z. Artan Cuku, një njeri i ndershëm me një përgjegjësi të madhe për detyrën ndaj shtetit, dhe mendoj që të gjithë qytetarët duhet t'i jenë mirënjohës. Mendoj se duhet t'i mbajnë fort këta njerëz të cilët kanë vetëm një objektiv, të sigurojnë qytetarët shqiptarë e ata të huaj. Ka pasur edhe gjëra të reja që kanë qenë surprizë për mua. Pata rastin të ndjek punën që po bën drejtori i ri i spitalit të Vlorës Shkëlqim Salami. Duke ditur profesionin e tij të mëparshëm nuk e prisja që do të mund të bënte aq shumë për spitalin. Duke parë se si po ndryshon struktura nën drejtimin e tij, mund të them se ai është një model që duhet ndjekur. Mora përsipër të përmendja emra sepse më duket e drejtë që edhe qytetarët shqiptarë ta dinë se kush janë personat që vërtetë vlejnë dhe që duhen mbajtur në krye të detyrës.

Cilat kanë qenë problemet më të shpeshta të qytetarëve italianë të cilët jetojnë në Shqipëri, kanë denoncuar pranë konsullatës gjatë këtyre viteve?
Përtej problemeve të korrupsionit ose tentativave për grabitje të shumave të vogla në para ndonjëherë herë në rrugë, e herë të tjera në zyra apo ambiente e rrethana të ndryshme. Por mendoj që problemet kryesore me të cilat përballen këtu qytetarët italianë kanë të bëjnë më shumë strukturat. Me rrugët dhe aksidentet, me shërbimet sanitare jo efikase etj. Këto nuk përfshijnë vetëm të huajt, por akoma më shumë qytetarët shqiptarë. Denoncime ka për sherre të vogla. Janë të shumta rastet e bashkimeve në çift të italianëve me shqiptarë dhe në të shumtën e rasteve, marrëdhëniet e familjeve e të fiseve janë të mira. Mirëpo ka edhe raste kur lindin kontradikta, që janë të rralla dhe qytetarët italianë kërkojnë ndërhyrjen tonë (qesh). Ka pasur probleme për investitorët italianë kur nuk e kanë zgjedhur mirë ortakun vendas për biznesin e përbashkët, duke u bashkuar më njerëz jo korrektë që përpiqen të përfitojnë sidomos në momentin që ortaku italian largohet për në vendin e tij. Kemi pasur disa raste të tilla, një pjesë e të cilave janë zgjidhur pozitivisht, ndërsa pjesa tjetër kanë përfunduar me rrugë gjyqësore.

Nuk e keni fshehur kurrë, por shumë nuk e dinë se ju i përkisni orientimit seksual 'gay'. Mund të na thoni diçka më shumë mbi këtë dhe rreth bashkëjetesës që keni gjetur në Vlorë. Si e kanë pritur çiftin tuaj qytetarët e Vlorës dhe ata shqiptarë në përgjithësi?
Kjo është një temë pak e ndjeshme dhe personale. Po pranoj të përgjigjem edhe pse mendoj se është disi e pavend që të flas për çështje kaq personale. Në këtë rast dua të përgjigjem edhe për qytetarët shqiptarë sepse është një temë për të cilën shumë prej tyre kanë interes. Kur fillova detyrën time këtu, mendova të mos e fsheh orientimin tim seksual për dy arsye. E para sepse nuk kisha asgjë për të fshehur, kjo është një temë Evropiane, dhe diskutohet kudo në Evropë për mosdiskriminimin dhe refuzimin e homofobisë, pra barazia e gjithë qytetarëve pavarësisht orientimeve të tyre në fusha të ndryshme. Arsyeja e dytë ishte se mendoj se është më mirë për një njeri që ka një detyrë publike të mos fshehë aspektet e tij personale sidomos kur nuk bënë asgjë të gabuar dhe nuk ka gjëra për të fshehur. Unë kam ardhur të jetoj këtu bashkë me partnerin tim dhe e kam jetuar çdo ditë këtu marrëdhënien time me të. Isha pak dyshues për reagimin që mund të kishte nga popullatës lokale që mund të reagonte pak a shumë mirë kundrejt këtij orientimi seksual që nuk është pranuar akoma në të gjitha vendet. E them për të gjithë qytetarët e LGBT-së, pra për qytetarët shqiptarë me orientim të ndryshëm seksual nga shumica, që kam jetuar shumë qetë. Të gjithë njerëzit që na kanë njohur, mua dhe partnerin tim nuk kanë pasur kurrë probleme. Kemi qenë gjithmonë të mirëpritur dhe kemi marrë shumë respekt. Nuk kemi perceptuar kurrë asnjë lloj reagimi negativ, as nga autoritetet lokale, as nga qytetarët apo nga miqtë e shumë vlonjatë e të qyteteve të tjera që kemi frekuentuar. Kjo është diçka shumë pozitive sidomos sepse është një prej kushteve që duhen përmbushur për integrimin në Evropë. Unë mund të dëshmoj mbi sjellje e pozitive të popullit shqiptar i cili në këtë pjesë është shumë më i përparuar nga ç'mund të mendohet duke e parë nga jashtë. Mendoj se ky është një mesazh i mirë për qytetarët shqiptarë me orientim 'gay' ose 'lesbike' sepse besoj se duhet kurajo që pak e nga pak siç kemi bërë të gjithë në këto vite, edhe si konsullatë me disa iniciativa në sektorin e mosdiskriminimit. Duhet filluar me ngadalë të largohet frika për të treguar identitetin, e për të luftuar për të drejtat e secilit. Duhet kërkuar mbrojtja e institucioneve dhe realizimi i aktiviteteve për të futur një kulturë kundër diskriminimit dhe integrimin tërësor mbi këtë problem. Dikush mund të thotë që mua më kanë pranuar sepse jam konsull dhe kam tjetër autoritet, jam i huaj dhe vij nga jashtë. Ndoshta kjo është e vërtetë, roli im më ka mbrojtur dhe ka bërë që njerëzit të mos kundërshtojnë e të më pranojnë. Por besoj se nga mënyra se si kam jetuar përkrah qytetarëve shqiptarë, jo vetëm unë por edhe partneri im, që vendi nuk ka probleme të këtij lloji. Është një ftesë sigurisht me kujdes, por të gjithë qytetarët shqiptarë duhet ta konsiderojnë këtë si diçka absolutisht normale dhe t'i pranojnë njerëzit për atë që janë në të gjitha fushat.

(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›