E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani Shkarkimi i Shaqirit, respektova Kushtetutën

Presidenti i Republikës Bujar Nishani sqaroi mbrëmë opinion publik lidhur me akuzat e fundit të opozitës gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Gjatë një interviste për “TV Klan”, kreu i shtetit iu kundërpërgjigj opozitës së në rastin e shkarkimit të ish-kreut të SHISH Bahri Shaqiri, përmbushi detyrimin kushtetues. Nishani iu përgjigj edhe akuzës tjetër për mos konsultim me SHBA-në për shkarkimin e Shaqirit duke thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë një standard i pacënueshëm. Sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të KLD-së, Nishani bëri të ditur se nuk e ka zgjedhur ai, por e ka votuar në mënyrë unanime KLD-ja. Lidhur me letrën e PS-së për çështjen e paktit detar me Greqinë, presidenti i vendit pohoi se nuk ka negociata duke pohuar se përgjigjen do ta japë në kohën e duhur. Zgjedhja e kryepro-kurorit të ri ishte një tjetër çështje për të cilën presidenti garantoi se do zbatojë Kushtetutën duke bërë të qartë se ky institucion kërkon më shumë cilësi dhe profesionalizëm. Ndërsa vendimin e mazhorancës për një referendum mbarëpopullor për heq-jen e imunitetit, Nishani tha se kjo çështje i përket politikës, por që gjithsesi konsensusi sipas tij është gjëja më e mirë.
Z. President një nga vendimmarrjet e para pas betimit tuaj në postin e kreut të shtetit ishte edhe shkarkimi i kryetarit të SHISH. Opozita pas këtij vendimi ju akuzoi ashpër dhe tha se, po i shërbeni interesave të partisë në pushtet. Në fakt pse e shkarkuat ish-kreun e SHISH?
Presidenti i Republikës ka ushtruar tagrin e vet kushtetues duke lejuar Kryeministrin e vendit të përmbushë të drejtat e tij ligjore. Ata, të cilët mendojnë që puna apo detyra e Presidentit të Republikës është që të pengojë Kryeministrin e vendit të ushtrojë detyrat e tij kanë një keqkuptim të madh me sistemin. Pa diskutim që shqetësimet e opozitës janë pjesë e vëmendjes së pa ndërprerë të Presidentit të Republikës, por besoj se ato duhet të jenë të fokusuara gjithmonë në mënyrën sesi funksionojnë institucionet.
Opozita thotë se nuk ka pasur konsultë me aleatin kryesor SHBA, ju thjesht e firmosni shkarkimin e tij nuk merrni informacion më tej?
SHBA përmes përfaqësuesve të tyre në Tiranë kanë treguar gjithmonë qartë se, marrëdhëniet ndërtohen me shtetin, marrëdhëniet ndërtohen me institucionet, marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën sesi funksionojnë këto institucione të respektimit të kushtetutës dhe të respektimit të ligjeve dhe besoj se ky standard ka qenë është dhe do të mbetet i pacenueshëm.
Z. President, sistemi i drejtësisë edhe sot vuan nga niveli i lartë i korrupsionit, a është fajtore KLD-ja për këtë nivel të lartë korrupsioni?
Ne duhet ta nisim përballjen e kësaj sfide që është sfida e çdo qytetari në radhë të parë duke rritur besimin e vetë gjyqtarëve ndaj sistemit. Nëse gjyqtarë të shumtë, të cilët janë brenda sistemit me një nivel të admirueshëm profesional, me një integritet moral dhe qytetar të atyre standardeve që kërkojnë qytetarët tanë, shohin se në pjesën e promovimit dhe karrierës nuk promovohet ky model, pra i atyre që shërbejnë me dinjitet, por promovohen persona, të cilët nuk e kanë këtë integritet atëherë këta gjyqtarë dekurajohen dhe kjo reflektohet tek vetë sistemi, tek vetë shërbimi, që do të marrin qytetarët tek shërbimi i drejtësisë dhe kjo reflektohet pastaj në hapin e dytë tek mungesa e besimit që kanë qytetarët tek sistemi i drejtësisë.
Si do ta bëni këtë z. President, është vetëm çështje vullneti apo ka mungesë legjislacioni në këtë drejtim?
Padyshim që vullneti është hapi i parë, por do të jetë e nevojshme që e gjithë infrastruktura ligjore që ekziston që nuk është e dobët është e mirë të plotësohet me akte të tjera dhe vendime të tjera të KLD-së, i cili ka mundësinë për të kompletuar këtë set ligjor.
Lidhur dhe me funksionin tuaj si kryetar i KLD-së, opozita ka akuzat e veta, duke iu referuar mënyrës sesi u zgjodh nënkryetari i KLD-së, ai është një propozim i Kuvendit. Pse Cefa nënkryetar?
Kryetari i KLD-së është Presidenti i Republikës, pra institucioni i presidencës përfaqësohet me kryetarin në KLD-së. Komuniteti i gjyqtarëve përfaqësohet me shumicën vendimmarrëse, qeveria përfaqësohet me Ministrinë e Drejtësisë dhe parlamenti ka ligjërisht tre përfaqësuesit e tij dhe praktika e të gjithë kohërave ka qenë e tillë dhe në respekt të balancimit të pushteteve. Posti i nënkryetarit i është ofruar përfaqësuesit të Kuvendit. Së dyti, z. Cefa nuk u emërua nga Presidenti i Republikës, u votua në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e KLD-së.
Z. President a është pengesë imuniteti për korrupsionin në drejtësi?
Heqja, kufizimi i imunitetit në drejtësi është mesazhi më i mirë që i jepet shoqërisë porsa i takon ruajtjes së konceptit të barazisë para ligjit.
A po bën mirë mazhoranca që po ndërmerr iniciativë për një referendum popullor për çështjen e imunitetit në mungesë të konsensusit të opozitës, duhet zgjidhur në parlament apo me referendum popullor?
Kjo është një çështje që i takon debatit politik të partive politike. Natyrisht që konsensusi do të jetë gjëja më e mirë që mund të arrijnë forcat politike, në parim çështja e votimit nga qytetarët është ushtrimi i një demokracie të drejtpërdrejtë, por edhe në rastin konkret të referendumit presidenti është pjesë e vendimmarrjes, është i përcaktuar nga kushtetuta momenti kur presidenti duhet të veprojë dhe të shfaqet me vendimet e tij, që do të jetë pas një gjykimi që vjen nga Gjykata Kushtetuese.
Në të shkuarën pa pasur diskutime të ashpra mes institucionit të presidencës dhe kuvendit lidhur me dekretet e presidentit për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë, si do ta zgjidhni këtë konflikt me Kuvendin?
Do të parapëlqeja dhe do të ofroja të gjitha konsultat paraprake me grupet parlamentare për përcaktimin e kritereve për të profilizuar kandidaturat, që duhet t’i ofrohen Kuvendit për nivelet e këtyre gjykatave kaq të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe nga pikëpamja procedurale presidenti është predispozuar për të ndjekur apo hapa që janë përcaktuar në kushtetutë.
Opozita ju ka akuzuar ashpër dhe ju ngarkon ju me përgjegjësi edhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të SHIU, a keni përgjegjësi ju?
Policia ushtarake është pjesë e administratës publike, procedura e emërimit të kreut të këtij institucioni nuk ka asnjë lidhje me Presidentin e Republikës. Është një çështje që nuk kalon në asnjë rast nga Presidenti i Republikës.
Z. President ka kaluar një muaj nga betimi juaj në krye të institucionit më të lartë dhe marrëdhëniet tuaja me opozitën janë shumë të tensionuara. Çfarë garancish i jepni ju opozitës se, do të jeni president mbi palët dhe se nuk do të jeni noter i partisë në pushtete apo ministër i partisë në pushtet siç ju akuzon opozita?
Unë nuk kam asnjë tension me opozitën, përkundrazi kam respektin maksimal për opozitën politike. E shoh atë si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend, por nga ana tjetër unë dua të garantoj qytetarët e vendit tim, që Presidenti i Republikës nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike apo taktike elektorale të partive politike, por gjithmonë do të jetë në përmbushje të misionit dhe detyrës së tij. Presidenti i Republikës duhet të funksionojë me gjithë kapacitetin që parasheh kushtetua e vendit.
A ka ndonjë dyshim se kur i përfundon mandati Prokurorit të Përgjithshëm?
Në momentin kur Presidenti i Republikës do të ketë në axhendë mandatin e prokurorit, natyrisht edhe në konsultë me këshilltarët e tij juridik dhe specialistët ligjor do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhura. Për momentin ne kemi një Prokuror të Përgjithshëm në detyrë, e cila do të mbështetet deri ditën e fundit të detyrës së saj nga Presidenti i Republikës në përmbushje të misioneve të saj ligjore dhe kushtetuese.
Do të riemëroni Ina Ramën apo do ketë një emër të ri?
Dhe kjo është një çështje e një kohe të caktuar, unë e kam shprehur vazhdimisht publikisht se institucioni i prokurorisë ka nevojë për një rritje të madhe të profilit të tyre profesional për një rritje të forcës dhe integritetit të të gjithë pjesëtarëve të prokurorisë në luftën ndaj kriminalitetit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, unë personalisht e shoh institucionin e prokurorisë në një moment, i cili duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional dhe angazhimin dhe kurajën e saj.
Grupi parlamentar i PS-së bëri publike se ju ka dërguar një letër në të cilën ju kërkon të ndërhyni për disa çështje kryesore, ndër të tjera edhe lidhur me marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Grupi i PS-së pretendon se po bëhen negociata në hije lidhur me këtë marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke dhe se opozita nuk është në dijeni të kësaj marrëveshje dhe kërkon që ju të ndërhyni. A e keni marrë këtë letër?
Për sa i takon çështjes së marrëveshjes për ujërat, unë jam informuar edhe nga autoritetet shqiptare, që nuk ka asnjë negociatë asnjë nisje bisedimesh apo procedurë të hapur rreth kësaj çështjeje, por gjithsesi edhe njëherë në respekt të plotë, që meriton opozita me mbërritjen e letrës, sepse nuk ka mbërritur ende, ajo do të ketë përgjigjen e saj.
Z. President a keni një apel për forcat politike nisur nga fakti se në tetor do jepet vendimi për statusin dhe nëse do të jete një përgjigje pozitive kjo ndodh për herë të tretë për vendin tonë?
Kjo kohë që ka mbetur deri në momentin që KE dhe BE do të kenë një vendim lidhur me statusin për Shqipërinë është një kohë, që ende ka nevojë për kontribute dhe mund të përmbushet me angazhime. Ndaj nëse e quaj se është një e drejtë që ju takon qytetarëve shqiptarë po me atë forcë e shoh si një detyrim që kanë partitë politike dhe institucionet për të përmbushur detyrimet e tyre.
Ju për herë të parë do të vizitoni Kosovën, pse vizita juaj e parë në Kosovë?
Ka të bëjë me çështjen e vlerësimit dhe respektit të bashkëkombësve tanë që jetojnë në Kosovë. së dyti është një vizitë e cila do të shprehë të gjithë respektin dhe nderimin për përpjekjet e bëra për shumë e shumë kohë nga qytetarët e Kosovës për arritjen e standardeve të lirisë, dhe Kosova është një nga kontribuueset e rëndësishme të rajonit dhe Ballkanit, ndaj dhe për mua do të jetë një moment për të shprehur të gjithë nderimin dhe vlerësimin tim në emër të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›