Prifti: Zgjedhja e Jakës në krye të DHTI-së, e paligjshme
Ministri e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës këmbëngul se zgjedhja e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është e paligjshme. Pas reagimit të tij menjëherë pas zgjedhjes së Jakës në krye të DHTI-së, Prifti i është drejtuar dje me një letër zyrtare Asamblesë së Dhomës, kryesisë dhe sekretarit të saj, duke i bërë të qartë pavlefshmërinë e vendimit të 24 tetorit për zgjedhjen e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Ministri bën të ditur në këtë letër se vendimi për zgjedhjen e Jakës, pasi është shqyrtuar nga ana e organit mbikëqyrës, është konstatuar se ai bie ndesh me ligjin "Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë", si dhe me statutin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për Qarkun e Tiranës. Ministri Prifti ngreh pretendimin se Mbledhja e Asamblesë e zhvilluar më 24 tetor 2009 nuk është zhvilluar në përputhje me rregullat e procedurat e parashikuara nga neni 13 i ligjit "Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë", të ndryshuar dhe të nenit 8 të Statutit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, për mënyrën e njoftimit dhe të zhvillimit të mbledhjes. Sipas ministrit Prifti, në rendin e ditës së mbledhjes nuk ka qenë e përfshirë zgjedhja e kryetarit. Propozimi dhe vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e ri është marrë gjatë zhvillimit të mbledhjes së asamblesë, ndërkohë që kjo çështje duhej të ishte caktuar më parë në rendin e ditës, duke iu njohur të gjithë anëtarëve para zhvillimit të mbledhjes. Sipas letrës së ministrit Prifti në mbledhjen e zhvilluar për të zgjedhur Jakën kryetar, kanë marrë pjesë 74 anëtarë, ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve, të cilët nuk kanë qenë prezent në këtë mbledhje, nuk janë njoftuar për të marrë pjesë në një vendimmarrje të tillë të rëndësishme si zgjedhja e kryetarit të Dhomës, pasi në rendin e ditës të njoftuar për këtë mbledhje asambleje nuk ka qenë e përcaktuar një gjë e tillë. Një shkelje tjetër e rëndë që e bën të paligjshme zgjedhjen e tij është mënyra e zgjedhjes së Jakës, ku është e përcaktuar se asambleja zgjedh nga anëtarët e saj kryetarin. Sipas ministrit Prifti, nga verifikimi i listës së Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës dhe Industrisë Tiranë, rezulton se Nikolin Jaka nuk ka qenë anëtar i asamblesë së DHTI-së, pra nuk plotëson një nga kriteret kryesore për t’u zgjedhur kryetari i Dhomës. Po kështu ministri Prifti thotë se zgjedhjet në këtë rast kanë qenë të pjesshme dhe në kundërshtim të plotë me statusin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
DHTI: Do t’i kthejmë përgjigje Priftit, duke argumentuar ligjshmërinë
Ndërsa Prifti kërkon të shpallen të pavlefshme zgjedhjet për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, ky i fundit duke mbajtur atributet e të ligjshmit ka zhvilluar dje mbledhjen e kryesisë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Në këtë mbledhje veç angazhimeve për t’i shërbyer më mirë biznesit, janë bërë dhe disa ndryshime tek drejtuesit e DHTI-së. Dje u prezantua drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, znj. Eugenia Gjuraj, gjithashtu dhe sekretari i ri i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Gëzim Podgorica. Por nuk është lënë pas në këtë mbledhje edhe shkresa që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i ka dërguar kryesisë në lidhje me vlefshmërinë e procesit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të zhvilluar në mbledhjen e jashtëzakonshme të asamblesë së datës 24 tetor 2009. Kryesia vendosi që t’i kthehet përgjigje zyrtare ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, duke theksuar dhe argumentuar ligjshmërinë e procedurave dhe procesit zgjedhor të datës 24 tetor 2009 për zgjedhjen e kryetarit të ri të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.