Auditi i Post-Evropës vlerëson shërbimet e Postës Shqiptare
Ekipi i auditeve të Post-Evropës monitoruan cilësinë e shërbimit postar në Postën Shqiptare. Posta Shqiptare u vizitua nga dy ekspertë të Post-Evropës znj. Maire Lodi, Menaxhere Operacionale, si dhe z.Karsten Oebro, Menaxher Auditi. Qëllimi i vizitës së tyre në Shqipëri ishte monitorimi i cilësisë së shërbimit në Postën Shqiptare për periudhën 2007-2009. Për tu njohur me konkretisht me punën e bërë në këtë drejtim përpara dy ekspertëve të Post-Evropës në ambientet e Postës Shqiptare u bë një prezantim nga Drejtoria e Standardeve dhe Cilësisë dhe Sigurisë Mbi aktivitetin e Postës Shqiptare. Në kuadrin e vizitës së tyre në Postën Shqiptare dy ekspertët e Post-Evropës vizituan ambientet e Filialit të Tranzit-Shpërndarësisë ku panë jo vetëm investimin e ri, ky në kuadrin e përmirësimit të cilësisë së shërbimit, por vëzhguan nga afër sektorin e përpunimin e shpërndarësisë dhe të gjitha veprimet operacionale në këtë sektor veçanërisht shpërndarjen e objekteve postare. Nga ekspertët e Post-Evropës u monitoruan dhe sektorët e mbërritjes dhe të nisjes së postës dhe kolipostës ndërkombëtare. Dy ekspertët vizituan dhe Zyrën Postare Rinas për të audituar marrjen në dorëzim të dërgesave postare nga aeroporti Nënë Tereza dhe vijimin e tyre për në Filialin e Qendrës Tranzite. Pjesë e Auditimit ishte dhe monitorimi i grumbullimit të postës nga pikat e shpërndarjes në filialin e Tiranës për në qendrën tranzite si dhe mbërritja e shtatë linjave nga të gjitha filialet në filialin e qendrës tranzite. Ekspertët në konkluzionet e tyre vlerësuan se cilësia bazë postare në Postën Shqiptare është e mirë dhe se rrjeti i brendshëm i transportit postar që lidh gjithë Shqipërinë është i përkryer dhe në të njëjtën kohë shërben si një platformë perfekte për një nivel të lartë cilësie dhe kjo vërtetohet nga çuarja në kohë e objekteve tek klienti. Gjithashtu ata vlerësuan edhe cilësisë e shërbimit të letrave postare, duke deklaruar se Shqipëria është tashmë pothuajse në të njëjtin nivel me atë të Bashkimit Evropian për trafikun postar.