E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketimi kosovar

Njëzet e tre kosovarë, të “paketuar” si sardele në një makinë, janë zbuluar nga policia norvegjeze. Ata planifikonin që me traget të kalonin nga Norvegjia në Danimarkë. Thanë se ishin nisur për të marrë pjesë në një aheng. Ngjarja e pazakonshme ka befasuar autoritetet. Nga Express më 05 shkurt 2011 në ora 09:19

Një ngjarje e pazakonshme, me protagonistë kosovarë, ka ndodhur në Norvegji. Policia kufitare në vendin e quajtur Kristiansand është befasuar kur, të martën pasdite, ka ndalur një veturë të tipit “Chrysler Voyager” dhe në të nuk ka gjetur dy, as tre, por plot 23 persona! Ata ishin të moshave të ndryshme, të gjithë nga Kosova dhe ishin duke u transportuar në mënyrë ilegale nga një shofer suedez.

“Nuk kemi parë ndonjëherë një gjë të tillë, edhe pse me këtë punë merrem për 30 vjet me radhë”, ka thënë Heige Breilid, drejtor i doganës së jugut në Dagbladet, raporton portali Dagbladet.no.

“Kishte të rinj e të moshuar, si dhe dy gra shtatzëna. Së shpejti do të mund të bëheshin 25 persona në veturë. Edhe më parë kemi zbuluar që janë fshehur nga 2-3 persona, por kurrë 23”, ka theksuar Breilid.

Ai theksoi se makina ishte me targa suedeze, ndërkaq kosovarët ishin zbuluar rastësisht, në një kontroll që duhej të ishte thjesht rutinor.

Policia kufitare norvegjeze ka bërë të ditur se, përveç shoferit suedez dhe 23 personave nga Kosova, së bashku me ta ishin edhe dy persona të tjerë, por që i kanë shpëtuar arrestimit. Po sipas policisë, era në makinë ishte e padurueshme dhe udhëtarët ishin në gjendje aspak të mirë. “Kundërmonte djersë”, tha një zyrtar policie.

Shpjegimi i shoferit të makinës dhe i kosovarëve ishte se po shkonin në Kopenhagë, për të marrë pjesë në një aheng. Në Kristiansand, azilantët e kishin ndërmend që nëpërmjet tragetit të kalonin në Hirthlas të Danimarkës.

Policia ka shfaqur shqetësim jo aq për hyrjen ilegale në vend, sa për për rrezikun e ndonjë aksidenti trafiku eventual. Që të gjithë udhëtarët i janë dorëzuar entit për migracion në Suedi dhe atyre iu është lejuar të kërkojnë azil.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›