Mbërrijnë të parët
Trazirat në Egjipt kanë bërë që shtetasit e Kosovës që jetojnë ose punojnë atje, të evakuohen. Disa prej tyre mbërritën të premten në aeroportin e Prishtinës, pasi fillimisht nga Kajroja udhëtuan drejt Stambollit.
Njëri prej tyre, Shefiku, tha se sidomos javën e fundit ka pasur shume trazira dhe nuk kanë guxuar as të dalin në rrugë. “Nëpër rrugë kanë dalë vetëm protestuesit dhe policia e ushtria, të tjerët kemi ndejtë pa dalë, madje edhe pa ushqime”, tha Shefik Sadiku, me shumë valixhe në duar.
Të gjithë këta mbërritën në Kosovë si grupi i parë i të evakuuarve, me ndihmën e liderit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.
Grupi prej 21 shqiptarësh ka udhëtuar me linjën Turkish Airline. Nisja e tyre nga Kajroja drejt Stambollit është bërë të premten në orën 3 e 40 të mëngjesit, kurse nga Stambolli në Prishtinë ata mbërritën rreth orës 13 e 25 minuta.
Kështu kanë deklaruar zyrtarët e lartë të AKR-së. "Situata e rënduar e ditëve të fundit në Egjipt, solli domosdoshmërinë e tërheqjes së shtetasve të huaj nga ky shtet", tha nënkryetarja Mimoza Kusari.
Në një konferencë për media, ajo tha se me iniciativën e disa studentëve të cilët studiojnë në Kajro, është kontaktuar presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për t’u ofruar ndihmën e tij për një evakuim sa më të shpejtë.
“Kësaj kërkese ai i është përgjigjur pozitivisht dhe në kontakt me këta studentë, ai ka siguruar një listë me rreth 163 persona, jo vetëm studentë, por edhe familjarë dhe punëtorë që jetojnë në Kajro, Aleksandri dhe Sharm el Sheik", ka shpjeguar ajo.
Sipas AKR-së, janë edhe 10 persona të tjerë, udhëtimi i të cilëve në linjën Kajro-Stamboll ka qenë sot në orën 9:30, por si rezultat e shtyrjes së fluturimit për në orën 11:25, e kanë të pamundur të arrijnë fluturimin Stamboll-Prishtinë të orës 12:50. Prandaj, ata do të akomodohen në një hotel në aeroportin e Stambollit dhe do të mbërrijnë nesër në aeroportin e Prishtinës në orën 13 e 25 minuta.
"Gjithashtu, edhe 17 personave të tjerë që ndodhen në Sharm el Sheik në kufi me Jordaninë, u është mundësuar kalimi për çdo rrezik të mundshëm, në Jordani, me pasaportë të Kosovës pa vizë, por vetëm duhet të kenë një vulë të Egjiptit për personat të cilët duhet të evakuohen”, tha Kusari.
Ajo sqaroi se akomodimi i tyre po bëhet përmes kompanisë Turkish Airline, Alitalia dhe Kompanisë së Emirateve.
Çfarë bëri Qeveria
Ndërkohë, zëvendësministrja në dorëheqje, Vlora Çitaku, ka thënë se identifikimi i saktë i numrit të qytetarëve të Kosovës në këtë shtet ka qenë i pamundur, për shkak të faktit se shumica prej tyre nuk kanë poseduar dokumente të Republikës së Kosovës.
Përmes Ambasadës së Kosovës në Ankara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, është bërë identifikimi i shumë shtetasve të Kosovës në Egjipt, ndërkohë që ka theksuar se është në dijeni që edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka ndërmarrë një operacion evakuimi dhe beson se dhjetë nga qytetarët e Kosovës që janë atje do të evakuohen.
“Ne edhe nuk kemi një numër të saktë, ai varion diku mbi 150 qytetarë të Kosovës, megjithatë shumë prej tyre tashmë janë evakuuar”, është shprehur Çitaku.
Sipas saj, shumica prej tyre në ditët e para janë evakuuar nga Qeveria e Turqisë, shumë prej tyre tashmë janë në Stamboll, ndërkohë që ka edhe të tillë që janë kthyer në Kosovë.
“E kam thënë se ne e mirëpresim çdo iniciativë qëllimmirë që për qëllim ka shpëtimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ambasadori ynë në Ankara po i koordinon aktivitetet me kabinetin e zotit Pacolli”, tha zëvendësministrja në largim e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku.
Sipas informatave që ka MPJ-ja, më 1 shkurt nga Egjipti janë kthyer dy shtetas të Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, 15 të tjerë janë evakuuar për në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa afër 30 të tjerë gjenden në Stamboll, të evakuuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.
Por, sipas Çitakut, një numër i qytetarëve të Kosovës kanë mbetur në aeroportin e Kajros për shkak të problemeve me dokumentet e tyre të udhëtimit.
“Ne jemi duke u munduar që përmes Ministrisë së Jashtme të Turqisë, përkatësisht Ambasadës së Egjiptit në Ankara, të bëjmë lehtësimin e dokumenteve të tyre të udhëtimit. Ju e dini se kjo është sfiduese, kemi të bëjmë me një shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, megjithatë në këtë pikë ka bashkëpunim”, ka thënë Çitaku.
Egjipti dhe Tunizia janë përfshirë ditëve të fundit nga protesta antiqeveritare, qëllimi i të cilave është ndërrimi i pushtetit. Zv/ministrja Çitaku nuk dëshiron të paragjykojë nëse ndryshimet në qeveritë e këtyre vendeve do të ndikojnë edhe në ndryshimin e qëndrimit karshi pavarësisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se është herët të thuhet nëse ndryshimet eventuale politike në këto dy vende do të rezultojnë edhe me ndryshim të pozicionit të tyre karshi Kosovës, por ka theksuar se vendi ynë ka vazhduar dhe vazhdon të ketë kontakte me përfaqësues të këtyre shteteve, por edhe shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që të binden që të ndërmarrin një hap të tillë.
Grupi i parë që ka mbërritur në Aeroportin e Prishtinës në orën 13 e 25 përbëhet nga këta persona:
1. Berat Durguti
2. Samire Durguti
3. Emrush Muharremi
4. Havishe Sadiki
5. Sara Muharre
(vajza) Zehra Muharremi
6. Shefik Sadiku
7. Sebastian Aurel
8. Besmir Lutfiji
9. Ali Lama
10. Edmond Garuja
11. Engjellushe Garuja
12. Abdullah Garuja
13. Enes Garuja
14. Elham Amidi
15. Rifat Alioski
16. Muharem Jakupi
17. Ibrahim Sherifi
18.Adnan Spahia
19.Liridone Musliu
20.Alban Malsiu
21.Kubra Shaban
Grupi i dytë që pritet të mbërrijnë të shtunën:
1. Jetmir Krasniqi
2. Mindihie Shala
3. Ibrahim Krasniqi
4. Muhamed Krasniqi
5. Burim Karpuzi
6. Liridona Berati
7. Emina Karpuzi
8. Zenel Neziraj
9. Valon Cykoski
10. Ardi Elezi
Këta 13 shtetas të Kosovës nuk kanë arritur të udhëtojnë nga Kajroja për në Stamboll pasi që Ambasada e Kosovës në Ankara i ka pajisur me fletudhëtime për foshnjat nën moshën 2-vjeçare që janë kopje, e jo dokumente origjinale.
1. Burim Dalipi
2. Lule Uka Dalipi
3. Melika Dalipi (fëmijë)
4. Fatmir Zogaj
5. Ardiane Bytyqi
6. Muslim Zogaj (fëmijë)
7. Valon Cacaj
8. Albina Shala Cacaj
9. Amar Cacaj (fëmijë)
10. Umridin Thaqi
11. Pranvera Thaqi
12. Esma Thaqi
13. Omer Thaqi