E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët dhe ushtarakët s’ka më kohë të presin



Fiqiri Cena*

Historikisht dhe me fakte reale, bllokmenët e djeshëm njëherazi edhe drejtuesit e politikës së sotme dhe të shtetit, PS-PD duhet të dinë mirë se minatorët dhe ushtarakët janë dy shtresa që kanë derdhur mund dhe djersë të pallogaritur. Po ashtu nga gjiri dhe radhët e tyre është derdhur me shumicë edhe gjak si në ndërtimin e socializmit të djeshëm të teoricienëve të sotëm ashtu edhe në ardhjen dhe ndërtimin e shtetit demokratik, që në vend të tij drejtorët e instituteve marksiste dhe sekretarët e organizatave e të byrove të Partisë së Punës na lindën, ndërtuan dhe po shijojmë një shtet krejtësisht të korruptuar, kriminal dhe këmbë e kokë mafioz.
Në kushte të tilla s’ka më kohë për të pritur, s’ka më qëndrim në strehime e “bazë nisjeje”, por është momenti për t’u hedhur në sulm, që ne dhe fëmijët tanë të mbijetojmë në atë ç’ka na takon dhe na mohohet. Është momenti që mafies shtetërore dhe asaj që ka uzurpuar politikën, për të mbretëruar me klane e farefisin e tyre, se me këtë që po i bëjnë këtij populli e shtresave të tij të vuajtura, t’i themi se nuk kanë më ditë për t’u tallur me ne, e jo më për të qeverisur. Që të arrihet kjo, puna duhet filluar tek ata që kanë folur, kanë bërë takime e arritur kompromise me qeverinë për interesat e tyre personalë në emër të sindikatave dhe shoqatës së ish-ushtarakëve duke bërë sikur përgjërohen për ta. Kjo kategori janë po aq të rrezikshëm sa edhe mafia politike e shtetërore, ata janë satelitët e tyre. Puna e tyre, qëndrimet dhe veprimet e tyre me pasuritë e punëtorëve dhe të ushtarakëve tregon se këta persona janë veglat që i zgjatin jetën mafies politike dhe qeverisë së saj nga njëra anë kurse nga ana tjetër zhvatin ndonjë “kockë” për ta lëpirë për vete, duke plotësuar nevoja ekonomike, duke siguruar vende pune dhe përfitime të tjera për familjarët e tyre. Duke qenë se këta janë mashtruesit dhe karkalecat brejtës të ekonomisë shqiptare, se pjesën më të madhe e ha luani i mafies, atëherë është koha dhe momenti që të gjithë këta të hidhen në koshin e plehrave. Shteti dhe pushteti u takon atyre që kanë derdhur mund, djersë dhe gjak për ta ndërtuar dje, dhe për ta ndërruar kur koha erdhi për një gjë të tillë.
Sot gjithkush, madje edhe një i verbër apo shurdh, e kupton se pushteti i djeshëm dhe ky i sotmi kanë në themel teorinë e mashtrimit, metodën e vjedhjes së votave apo të blerjes së tyre nga rrugaçët, qëllimin e pasurimit galopant të tyre dhe të familjeve të tyre, financimin sado pak të ndërkombëtarëve apo korruptimin e tyre për të krijuar imazhin e punës së madhe e “reformave” të gjera të qeverisë etj., me qëllim ruajtjen e pushtetit në legjislatura apo ndonjë pranim në organizma ndërkombëtarë po për shou. Të gjitha këto bëhen për të mbuluar korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme të armëve, cigareve, karburanteve e deri tek ai i qenieve njerëzore. Vetëm kështu, ata forcohen ekonomikisht brenda dhe politikisht jashtë për të mbajtur pushtetin që u siguron pasuri marramendëse të paligjshme, u siguron edhe jetën atyre dhe fëmijëve të tyre. Demagogjia dhe propaganda politike e këtyre partive, këtyre drejtuesve të organizmave, apo shoqatave joqeveritare ka mbaruar e dalë boje.
Pikatoret e qeverisë për pensione dhe ndihma të tjera janë “helm” vdekjeprurës, që nga pak e përditë po i marrin jetën njëherë e mirë këtij populli në veçanti dhe kombit shqiptar në tërësi.
Kujtoni fushatat zgjedhore apo periudhat legjislative të qeverisjeve. Të dy krahët vijnë me teoritë e luftës kundër korrupsionit, baronëve të drogës, kontrabandistëve të karburanteve apo luftën kundër krimit dhe kriminelëve, megjithëse këta janë etiketuar me emra nga udhëheqësit e dy krahëve, por sa ndërron pushteti harrohet gjithçka. Për konkretizim të brendshëm apo të jashtëm gjendet ndonjë fakt që ka ndodhur apo është urdhëruar të ndodh gabimisht në vendin dhe kohën e papërshtatshme duke rënë viktimë e përkohshme se pastaj nxjerrin rregulla dhe ligje për ta shpëtuar pasi ftohet e harrohet disi situata e krijuar, e kjo ndodh deri kur del në skenë ndonjë fenomen tjetër që zhyt në harresë të parin. Mjafton të kujtojmë për këtë luftën me Presidencën në kohën e Moisiut, Hiroshimën e Gërdecit, vjedhjen dhe shitjen e tokave, tenderimet “private” me vlera të larta ndërkombëtare, shitjen e tankeve dhe avionëve, shitja e minierave dhe shtëpive të pushimit të punëtorëve dhe sa e sa të tilla që nga 1996-ta e piramidave e në vazhdim. Duke parë dëmet e shkaktuara a nuk jemi të bindur se kush i organizon, drejton këto dhe se cilët janë shkaktarët? Detyrimisht ky popull e ka të qartë e në detaje gjithçka, dhe besoj se është ndërgjegjësuar tashmë për këtë dhe madje kam besim se forca, mençuria e tij për ndërtimin e demokracisë së vërtetë nuk është shuar, por kërkohet përshkallëzim i luftës së tij me të gjitha format e mjetet demokratike.
Nëse politikanët e sotëm dhe qeveritarët e deritanishëm do të kujdeseshin e të përkushtoheshin 5 për qind për ata që i sollën në pushtet dhe 95 për qind për veten, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se gjendja e tanishme kaq katastrofike nuk do të ekzistonte. Vetëm 50 për qind e pasurisë së politikanëve dhe qeveritarëve do të mjaftonte për minatorët dhe ushtarakët, për të sëmurët e ndoshta për të ndërtuar një a dy hidrocentrale.
Nga të gjitha këto, duke parë gjendjen ku na katandisi politika dhe qeverisja e sotme, besoj se jemi të ndërgjegjshëm se dokumentet dhe aderim apo mbështetje partie nuk ka edhe nuk do të ketë më shumë e më të madhe se jeta e fëmijëve dhe e popullit tonë, një pjesë e të cilëve po vuan e dergjen rrugëve të botës për kafshatën e gojës, të tjerët vriten e priten rrugëve të Shqipërisë apo vdesin nëpër spitale se nuk kanë para për mafien me bluza të bardha. Në një gjendje të tillë çfarë duhet të presim akoma? Ne nuk e kemi jetën të tepërt që t’ua falim apo të na e marrin ata të pamunduarit. Ata që dje na burgosnin nëpër dhjetëra kampe përqendrimi, e sot na lënë rrugëve pa bukë, ujë, drita, dituri, pa shërim shëndetësor, duke na vënë lakun në grykë e duke na e shtrënguar nga të gjitha anët pasurohen duke përvetësuar pasurinë e vënë me mundin e djersën e baballarëve, nënave motrave, vëllezërve bijve e bijave tona. Këta luajnë e bëjnë politikë me dosjet e korrupsionit, kontrabandës, drogës së njëri-tjetrit kurse për popullin e thjeshtë përdorin metodën përça e sundo, duke shkelur e mohuar hapur ditën me diell atë që iu jep ligji, institucioni më i lartë i Drejtësisë Gjykata Kushtetuese. Atëherë çfarë mund të presim më nga këta uzurpatorë që shkelin Kushtetutën, ligjin themeltar të shtetit dhe nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Me mashtrues dhe delenxhinj, siç e quajnë njëri-tjetrin drejtuesit e politikës, me njerëz të babëzitur, kusarë e kriminelë nuk mund të bashkëjetojë kurrë një popull që lufton e kërkon demokraci, që kërkon liri, të drejta e siguri për jetën e vet dhe të fëmijëve të tij.

*gjeneral ne pension

2 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›