Çelsi mbijeton në Barcelonë
Në një “Kamp Nou” magjik e të zhurmshëm, Barcelona nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola me Çelsin. Barça e dominoi plotësisht takimin e parë gjysmëfinal të Ligës së Kampioneve, ndërkohë që Çelsi ia doli të dilte i pathyer nga transferua spanjolle. “Treshja magjike” e katalanasve, Mesi-Henri-Eto, që së bashku kanë shënuar 90 gola gjatë këtij sezoni, edhe pse patën disa raste sporadike, nuk mund të mposhtnin portierin Petër Ceh. Didier Drogba pati rastin më të mirë në minutën e 39-të, kur Markez gaboi në pasim, por goditje e sulmuesit të Çelsit, u grushtua nga portieri i katalanasve Viktor Valdez, që shpëtoi ekipin e tij me një ndërhyrje të dyfishtë. Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Eto’o fitoi një duel shpejtësie me “rojen” e tij, brazilianin Aleks, por kamerunasi i Barçës, nuk mundi të shndërronte në gol mundësinë e artë që iu dha në minutën e 70-të, por Ceh u tregua spektakolar. Në të 90’, zëvendësuesi Bojan Kërkiç pati një mundësi të jashtëzakonshme por goditja me kokë e tij përfundoi mbi kuadrat. Hleb pati një tjetër rast në të 93’, por Ceh rezultoi plotësisht efikas dhe kësaj radhe. Takimi i kthimit në “Stamford Brixh”, më 6 maj, pritet të jetë një magji më vete, pasi të dyja skuadrave u duhet të shënojnë, për të mos e çuar ndeshjen te gjuajtjet e penalltive. Në “Kamp Nou” kamerat kapën edhe praninë e trajnerit të Anglisë, italianin Fabio Kapelo, i cili ndoqi në aksion disa nga yjet e “Tri luanëve”.
29 Prill 2009