Konsumi mujor i energjisë, mund të llogaritet online
Konsumatorët e energjisë elektrike që nga ky muaj do të kenë mundësi të llogarisin vetë faturën e energjisë mujore. Kompania CEZ do të prezantojë sot projektin, i cili do të jetë një shërbim online në formën e një kalkulatori. Burimet zyrtare të kompanisë bëjnë të ditur se me anë të një llogaritësi të vendosur online CEZ Shpërndarje u ofron klientëve mundësinë të arsyetojnë dhe llogarisin vetë konsumin e përafërt mujor të energjisë elektrike. Ky llogaritës është një nga aktivitetet që kompania po ndërmerr si pjesë e këtij projekti për të informuar dhe ndërgjegjësuar klientët sesi të llogarisin, ekonomizojnë dhe përdorin energjinë elektrike. Gjatë ditës së sotme kompania CEZ do të bëjë demonstrimin e mënyrës sesi funksionon ky llogaritës online dhe sesi mund të përdoret nga konsumatorët.