Të ardhurat, vendorët realizojnë vetëm 53 për qind të planit
Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga njësitë vendore vazhdojnë të jenë mjaft të ulëta. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për 8-mujorin, vihet re se të ardhurat nga pushteti vendor janë 15.3 miliardë lekë, ose 53.01% e planifikimit vjetor. Edhe pse është kërkuar shpesh nga institucionet qendrore një rritje e eficiencës së vendorëve në mbledhjen e të ardhurave të tyre, kjo nuk ka dhënë rezultatin e pritshëm. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet për buxhetin vendor për 8-mujorin kapin vlerën e 29.3 miliardë lekëve. Kjo do të thotë afërsisht dyfishi i të ardhurave që ato mbledhin për buxhetin e shtetit. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë taksa mbi pasurinë, taksa mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale.