Kontabilistët, PS: Ligji për dënimin të kalojë me 84 vota
nertila maho
Maxhoranca dhe opozita debatuan ashpër dje lidhur me ndryshimin e bërë në projektligjin për auditimin ligjor, organizmin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilitetit të miratuar. Palët degjeneruan deri në fyerje dhe kërcënime, duke mos rënë dakord për asnjë moment. Maxhoranca nga ana e saj ishte pro variantit të propozuar së fundmi, i cili përcaktonte se "personi që ushtron profesionin e ekspertit kontabël, pa qenë i regjistruar në regjistrin përkatës, përbën veprën e kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 milionë deri në 10 milionë lekë". Kjo mënyrë formulimi i jep maxhorancës të drejtën që ta kalojë këtë ligj me shumicë të thjeshtë, duke shmangur kështu kundërshtitë e opozitës dhe bllokimin e projektligjit në Parlament. Por ndryshe është shprehur opozita, e cila e ka cilësuar këtë si truk të palës tjetër. "Turku qëndron këtu, që për të kaluar këtë ligj kapërcehet vepra penale dhe kalohet në kundravajtje administrative, kur kjo është vepër penale e pastër, është falsifikim. Për t'u kaluar ky ngërç, që është me 3/5 e votave, ne duhet të ndryshojmë ligjin. Nëse kjo histori vazhdon kështu, s'ka pse vjen fare opozita në Parlament dhe çdo lloj ligji për të dalë nga ngërçi i 3/5 kalon me shumicë të thjeshtë", u shpreh deputeti i PS-së, Ilir Bejtja. Ndërkohë deputeti Erion Braçe ka kërkuar që ligji të kalojë edhe në Komisionin e Ligjeve. "Duam që të kalojë për të parë dy aspekte: kushtetutshmërinë e këtij ligji që na ka ardhur dhe përputhshmërinë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të këtij neni që po diskutojmë" tha Braçe. Drejtorja juridike e Ministrisë së Financave, Linda Rusmajli shpjegoi dje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk kishte të bënte aspak me dispozitën, por me faktin që kjo nuk mori shumicën e cilësuar në Parlament. Nga diskutimet e deputetëve u morr si mundësi edhe rikthimi në votim i dispozitës së vjetër ose që sëbashku me kundravajtjen administrative, të dënuar me gjobë, të shtohet edhe alternativa e burgimit deri në dy vjet. Pas më shumë se 1 orë debatesh, falë shumicës së maxhorancës, projektligji u miratua në parim por ndërkohë një pjesë e deputetëve socialistë kishin braktisur Komisionin.
ndryshimi
Neni 58 që shfuqizohet
Përvetësimi i titullit profesional
1. Përvetësimi i titullit profesional të ekspertit kontabël, ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë një ngjashmëri ose një konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
2. Fillimi apo vijimi i procedurave penale nuk pengon dhe as pezullon vijimin e procedurave disiplinore, as marrjen apo ekzekutimin e sanksioneve disiplinore.
Bëhet
Neni 58 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 58
Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar
1. Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 000 000 deri në 10 000 000 lekë.
2. Vendimi për vendosjen e gjobës merret nga bordi i mbikëqyrjes publike.
3. Vendosja e dënimit administrativ, sipas këtij ligji, nuk ndalon paraqitjen e kallëzimit penal në prokurori".