E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhurmat, kushtet e reja të licencave për klubet 24 orë



Pas orës 23 lokalet e natës duhet të ulin muzikën në kufirin e lejuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Pas aksionit të së shtunës, ku policia bashkiake dhe ajo e rendit ndërpreu argëtimin e qindra të rinjve në zonën e ish-Bllokut, bëhen me dije kushtet që duhen zbatuar. Ndërhyrja e policisë erdhi pas ankesave të banorëve përreth nga ndotja akustike tej normave në këtë zonë. Kufiri i zhurmës në ambientet e brendshme sipas specialistëve, duhet ta ketë kufirin deri në 35 decibel. Kjo, me qëllim që muzika apo zhurmat e tyre të mos dëgjohen në katin e sipërm apo jashtë ambienteve të lokalit. "Pronaret e lokaleve, pasi të kenë investuar në godinë për të izoluar depërtimin e zhurmave jashtë, duhet të paraqiten pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit për t'u pajisur me leje mjedisore, e cila i kërkon Institutit të Shëndetit Publik të bëjë matjet e duhura për nivelin e zhurmës që dëgjohet", sqarojnë specialistët e ISHP-së. Ndërsa në ambiente të hapura muzika është e ndaluar dhe këto lokale nuk mund të qëndrojnë hapur pas orës 23.00. Në rast se nuk zbatojnë këto kritere, pronarët e lokaleve do të gjobiten. Polica Bashkiake dhe ajo e rendit pohojnë se kontrollet do të vijojnë edhe gjatë ditëve në vijim, sidomos gjatë fundjavës, kur jeta e natës frekuentohet më shumë. Niveli i zhurmës deri në 35 decibel është një normë e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Aksioni i tri ditëve më parë solli sërish në vëmendje pasojat që mund të shkaktojë mbi qytetarët ndotja akustike jashtë standardeve. Sipas specialistëve, ajo sjell jo vetëm probleme me dëgjimin, por edhe stres e pagjumësi. Në një studim të bërë nga ISHP, 50% e banorëve të kryeqytetit kanë rezultuar me probleme si stres, përdorim i kapsulave për stimulim të gjumit dhe prishje të dëgjimit për shkak të zhurmave akustike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›