Lënë punën zyrtarët që s’deklarojnë dadot
Zyrtarët e administratës që deri më 1 shtator nuk do të nisin të paguajnë sigurimet shoqërore të punonjësve shtëpiakë, do të largohen nga puna. Kryeministri Berisha ka kërkuar dje në mbledhjen e radhës së qeverisë që brenda një jave të hartohet drafti që detyron zyrtarët të deklarojnë punonjësit shtëpiakë (dadot) dhe më pas të paguajnë sigurimet, që edhe atyre t’u konsiderohen si vite pune dhe të përfitojnë pension. “Zoti ministër, zyrtari që mban punonjës shtëpiak të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra për fshehje të papranueshme dhe trajtim skllavëror të një individi. Afati për t’i regjistruar ata është data 1 shtator dhe ai që nuk i regjistron përtej kësaj date nuk do të qëndrojë më në administratë, pasi do të konsiderohet jo fshehje pasurie, por edhe më rëndë se kaq”, u shpreh Berisha. Sipas tij, kur të amendohet ligji për konfliktin e interesit, mosdeklarimi i tyre do të përbëjë konflikt. Por një problem tjetër, sipas kreut të ekzekutivit është deklarimi i punonjësve shtëpiakë tek ajo shtresë që ai e quajti borgjezia e re. “Në rast se ata nuk i deklarojnë punonjësit shtëpiakë, atëherë do të përpunohet moduli. Duhet ta harrojmë se ka ndonjë asket midis tyre që t’i bëjë të gjitha punët e shtëpisë. Moduli do të thotë që ata, me deklarim apo anonimat, do ta paguajnë punonjësin. Ne ju bëjmë thirrje t’i deklarojnë. Edhe një herë dua të sqaroj qytetarët shqiptarë se ne kemi vendosur për ta pagesën më minimale dhe nuk kemi asnjë synim tjetër përveç aspektit strikt humanitar”, theksoi Berisha. Kreu i ekzekutivit deklaroi se është e papranueshme që punonjësit shtëpiakë të mos përfitojnë pension, në një kohë që sipas tij qeveria e ka ulur deri në masën 10 mijë lekë të reja në vit kontributin që duhet të paguajnë punëdhënësit për ta. “Nuk mund të mos tregosh ndaj tyre ndjenjat njerëzore, t’i kesh si pjesëtarë të familjes dhe të mos u paguash asnjë kontribut për sigurime shoqërore minimale dhe t’u shprehësh një respekt njerëzor. Është pashpirtësi e vërtetë të mbash në të zezë në shtëpi dikë që të ndihmon, të mban dhe rrit fëmijën, të mban shtëpinë. Morali njerëzor ka disa limite. Ne i pritëm, tani do të veprojmë”, vijoi më tej Berisha.