Konte, ironi me Alegrin: Milani e humbi vetë...
Seria A zhvillon të martën e të mërkurën javën e 35-të, me Juventusin që kërkon t’i afrohet akoma më shumë titullit kampion. Bardhezinjtë do të presin në Torino Leçen, në një sfidë aspak të lehtë, duke qenë se puljezët rrezikojnë rënien nga kategoria dhe do të kërkojnë të dalin me pikë. Juventusi ka shansin e parë për fitimin e titullit, pasi në rast triumfi ndaj Leçes dhe disfate të Milanit kundër Atalantës, do të shpallej automatikisht kampion. “Leçe, ashtu si ne, ka një objektiv shumë të rëndësishëm për të arritur: qëndrimin në Serinë A, - deklaroi trajneri i Juves Antonio Konte. – Përballë do të jenë dy skuadra me motivacione të mëdha”, shtoi Antonio Konte. Në kampin juventin ekziston rreziku i një feste të parakohshme, ndërsa janë edhe tre ndeshje për t’u luajtur. Ndërkohë, nuk ka munguar një koment edhe për rinovimin e Del Pieros: “Aleks është një lojtar i jashtëzakonshëm, që po më jep një ndihmë të madhe në çdo aspekt”. Gjithsesi, tifozët bardhezi kërkojnë me ngulm që kapiteni i tyre të mos largohet. Në fillim në qendrën sportive të Vinovos e më pas në rrjetet sociale, ata janë mobilizuar për të bindur drejtuesit që të mbajnë kapitenin e tyre. Konte e ka mbyllur konferencën e tij me një shigjetim të trajnerit të Milanit Masimiliano Alegri, që në javët e fundit ka përmendur shpesh golin e anuluar të Muntarit në ndeshjen direkte në “San Siro”. “Pas asaj përballjeje me Milanin, ne shkuam 7 pikë larg tyre. Kështu që Milanin nuk e ndalëm ne. Ata ndaluan vetë, - u shpreh trajneri i Juventusit. – Nëse arrijmë të fitojmë titullin, trofeun mund ta krahasojmë me atë të Veronës. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme, si atëherë”.
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)