Kontesti i emrit, Nimiç viziton Shkupin dhe Athinën
Negociatori i Kombeve të Bashkuara në mosmarrëveshjet për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimiç së shpejti do të zhvillojë vizita në dy vendet fqinje, por ende nuk është saktësuar data e këtyre vizitave. Sipas zëdhënësit të Nimiçit, gjatë javëve të fundit ai ishte në kontakt me dy palët dhe qeveritë e dy vendeve, të cilat e ftuan të vizitojë dy vendet. Ndërkohë që ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski të enjten në Londër, në kuadër të konferencës ministrore për Afganistanin, do të takohet me zëvendës shefin e diplomacisë greke, Dimitris Drucas. Ftesa për takimin të cilën e dërgoi Milloshoski javën e kaluar, u pranua të martën nga Drucas. Në fillim të muajit të ardhshëm, Drucas niset për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të takohet me sekretaren amerikane, Hilari Klinton. Para takimit të së enjtes, vetëm një ditë më parë, kryeministri grek Jorgos Papandreu deklaroi se është e mundur një zgjidhje e shpejtë e kontradiktave rreth emrit por nuk tregoi detaje të mëtejshme.