E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karzai kërkon vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare

Afganistani synon që së shpejti të marrë përsipër më shumë kompetenca në fushën e sigurisë, por forcave afgane do t’iu nevojitet përkrahja afatgjate ndërkombëtare, deklaroi sot presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai.

Karzai u takua sot në Berlin me kancelarin e Gjermanisë, Angela Merkel, në prag të Konferencës ndërkombëtare që do të zhvillohet nesër në Londër, në të cilën do të diskutohet për ardhmërinë e vendit të tij.

“Afganistani nuk dëshiron të jetë barrë mbi supet e aleatëve dhe miqve tanë. Afganistani së shpejti dëshiron të mbrojë territorin dhe popullin afganë, me mjete afgane”, tha Karzai.
Ai mirëpriti konstatimin e Gjermanisë se nevojitet një përkrahje e vazhdueshme për forcat afgane të sigurisë.

Gjermania shpreson që vitin e ardhshëm të reduktojë kontingjentin e ushtarëve të vet në Afganistan, por Merkel nënvizoi se nuk po angazhohet për një datë specifike për tërheqje, pasi që theksoi se askush nuk mund të parashikojë zhvillimet dhe se Berlini nuk dëshiron të veprojë në favor të kryengritësve talebanë.

Gjermanët nuk mbështesin aspak angazhimin e ushtrisë së tyre në Afganistan. Aktualisht në Afganistan janë të stacionuar 4300 ushtarë gjermanë. Sipas rezultatit të anketës më të re, të publikuar sot, 79 për qind e gjermanëve e kundërshtojnë dërgimin e forcave shtesë në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›