Itali, policia shkatëron bandën shqiptare të drogës
UDINE- Policia italiane shkatërron një bandë shqiptare që merrej me trafik ndërkombëtar droge. 22 persona janë arrestuar në Udinë të Italisë. Kreu i bandës shqiptari Ardion Osmani 32 vjec tashmë është i arrestuar dhe ndodhet në burgun e Tolmezos, i cili në Udine kishte 6 bashkëpunëtorë të tij. Pjesë e bandës shqiptare ishin dhe disa italianë dhe trafikantë nga nacionalitete të tjera që furnizonin me kokainë provincat në veri të Italisë. Operacioni i quajtur “Tram2” u krye gjatë ditës së mërkurë, pas hetimit të bandës dhe lëshimit të mandateve të arrestit për 22 personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Operacioni në fakt është kryer në faza të ndryshme dhe ka nisur që në prill 2008 në zona të ndryshme të Italisë. Droga e tipit kokainë vinte nga aksi Ballkan-Gjermani-Holandë. Trafiku i drogës i sillte këtij grupi një fitim 250-350 mijë euro në muaj. Katër kg drogë u sekuestrua nga policia në faza të ndryshme të operacionit.(m.a/News24/BalkanWeb)