E Shtunë, 31 Tetor 2026

Musavi s’e njeh qeverinë e Ahmadinejadit

Udhëheqësi i opozitës në Iran, Mir Hossein Musavi, ende nuk e njeh qeverinë e presidentit Mahmoud Ahmadinejad, deklaroi bashkëshortja e Musavit, komentet e se cilës u publikuan nga një faqe e opozitës në internet.

Kjo kumtesë e Zahra Rahnavardit u publikua vetëm një ditë pasi që zyrtari tjetër opozitar, Mehdi Karrubi, theksoi se e njeh Ahmadinejadin si kryesues të qeverisë, përkundër faktit se ende beson se zgjedhjet presidenciale, të cilat u zhvilluan vitin e kaluar, kanë qenë të manipuluara.

Musavi në zgjedhje u rreshtua në vendin e dytë, ndërsa Karrubi në të katërtin. Si Musavi, ashtu edhe Karrubi kishin kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

“Dëshiroj të nënvizoj se ne nuk e njohim qeverinë e Ahmadinejadit dhe nuk do të bëjmë kompromise prapa skenës”, tha Rahnavard, e cila para zgjedhjeve ka bërë fushatë për bashkëshortin e saj.

Opozita reformatore ka theksuar se zgjedhjet presidenciale kanë qenë të manipuluara, për t’ia siguruar fitoren Ahmadinejadit.

Me mijëra njerëz, përfshirë këtu edhe zyrtarë reformatorë, u arrestuan pas trazirave që shoqëruan zgjedhjet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›