Obama, mban fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama mban sonte fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit, gjatë të cilit ai pritet të përqëndrohet tek ekonomia, në një kohë kur papunësia vazhdon të qëndrojë në 10 për qind dhe mbështetja e publikut për presidentin ka rënë. Obama do të bëjë gjatë këtij fjalimi bilancin e një viti në krye të Shtëpisë së Bardhë, si dhe do të flasë për prioritetet dhe rrugën që do të ndjekë administrate e drejtuar prej tij, në tre vitet e ardhshme. Presidenti Obama e mban këtë fjalim para të dy dhomave të Kongresit dhe që si gjithnjë transmetohet drejtpërdrejt në gjithë vendin në televizion. Ai pritet gjithashtu të flasë edhe mbi përpjekjet kundër terrorizmit si dhe nismën e tij kryesore të politikës së brendshme: reforma e kujdesit shëndetsor. Gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit, presidenti Obama pritet të propozojë ngrirjen për 3 vjet të shpenzimeve për shumë programe të brëdshme në përpjekje për të ulur deficitin buxhetor, i cili vitin e kaluar arriti rekordin prej 1.4 trilion dollarë.