E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontigjenti i dytë me ndihma për Shkodrën

Nga Express më 04 janar 2011 në ora 16:43

Për në Shkodër shumë shpejtë do të niset kontigjenti i dytë me ndihma humanitare të grumbulluara nga bizneset e Ferizajt, kanë bërë të ditur të martën zyrtarë nga komisioni komunal për koordinimin e ndihmave.

Merret vesh se bizneset ferizajase po kontribuojnë me ndihma dhe se ky kontingjent përfshinë ndihma në ushqime dhe veshmbathje për banorët e nënzonës së Shkodrës që kanë pësuar së fundi nga vërshimet.

Shukri Avdyli, anëtar i komisionit bëri me dije se janë shumë ndërmarrje tregtare që kanë dhuruar sasi të mëdha të veshmbathjes, kryesisht këpucë, ndërsa kanë qenë edhe biznese tjera që kanë dhënë sasi të parave, me të cilat janë siguruar sasi e miellit, patateve, fasules dhe ushqime tjera.

“Para disa ditësh ne kemi dërguar një kontingjent me ndihma. Nesër do të niset edhe kontingjenti i dytë. Bizneset e Ferizajt i janë përgjigjur në masë të kënaqshme thirrjes së kryetarit të komunës, Bajrush Xhemajlit, për të ndihmuar banorët e Shkodrës”, theksoi Avdyli.

Ndryshe, “Ferizaj ndihmon Shkodrën” është aksioni humanitar që ka zgjatur disa ditë. Anëtarë të komisionit thonë se nuk kanë përmbyllur këtë aksion dhe donacionet e bizneseve do t’i mirëpresin edhe në të ardhmen. Ndihmat e grumbulluara po transportohen nga kompania transportuese “Nderimi”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›