E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet shëndetësore, miratohet në komision drafti i ri

Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë ka shqyrtuar dje nen për nen projektligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor”, për t’i dhënë atij miratimin përfundimtar. Sipas ligjit të ri, masa e kontributit të detyruar shëndetësor do të jetë përsëri 3.4 % për llogaritjen e kontributeve, për të gjitha kategoritë e mbuluara nga skema e sigurimeve shëndetësore, ndërsa për të punësuarit, kontributet do të paguhen në masën 50 % nga punëdhënësi dhe 50 % nga punëmarrësi. Sipas këtij ligji, personat e përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore do t’i përfitojnë shërbimet shëndetësore pa pagesë, me përjashtim të rasteve kur ata do t’u drejtohen spitaleve private. Për të përfituar shërbime nga këto të fundit, pacientët e siguruar do të paguajnë koston e mbetur të pambuluar nga shteti për një ekzaminim të caktuar, nëse ai është më i shtrenjtë se publiku. Drafti i ri për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor do të mundësojë ofrimin e më shumë shërbimeve shëndetësore që do të blihen nga ISKSH, jo vetëm për qendrat shëndetësore dhe spitalet publike, por dhe për ato private. Do të jetë ISKSH, institucioni që, pas akreditimit dhe konsolidimit të sektorit privat, do të kontraktojë me të për disa shërbime të mirëpërcaktuara me fondin e ri që do të krijohet dhe këto do të jenë deri në masën e financimit të publikut. Pra, paketa shërbimesh, apo pjesë të tyre, të cilat do të ofrohen në publik dhe dihet kostoja, mund të kontraktohen edhe në sistemin privat, nëse sjellin risi dhe ulje të çmimeve në krahasim me publikun, por edhe cilësi më të mirë në raste të tjera, duke lejuar bashkëpagesën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›