E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, armatosen me pistoleta të rinjtë

ARMËT/ Arrestimet e kohëve të fundit kanë treguar rastet e shumta ku moshat e reja, që nga 15 vjeç, janë mbajtës të pistoletave

Pistoletat e sekuestruara nga policia rezultojnë të ardhura në rrugë të ndryshme në vend, por edhe të trashëguara

DURRËS - Fundviti 2008 në qytetin e Durrësit është shoqëruar me një intensitet në rritje të aksioneve të policisë për arrestimin e personave të armatosur me armë zjarri. Shumë prej tyre që kanë përdorur armët janë të rinj. Vetëm në një njoftim për ngjarjet e një dite në prag të festës së Krishtlindjeve nga kronika theksohen katër raste në harkun e kufizuar kohor të një dite që tregojnë se të rinjtë e armatosur të Durrësit janë të shumtë.

Nga kronika e një dite

Më datë 23.12.08 rreth orës13:00 në ambientet e disko “...” janëplagosur me armë zjarri shtetasit I.H. 16 vjeç dhe S.SH 15 vjeç. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës bënë të mundur kapjene autorit adoleshent 15-vjeçar dhe bllokuan në cilësinëe provës materiale pistoletën tip “Valter”...

Sektori i Krimeve të Rënda rreth orës 21:00 bënë të mundur kapjen e Seladin Rexhës..., person i shpallur në kërkim, pasi ... më datë 30.10.08 në lagjen nr.5tentoi të vrasë me armë zjarri shtetasin F.Berhami...

Më datë 23.12.08 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Dashamir Mehmeti i datëlindjes 03.03.1983, student në Akademinë e Arteve Tiranë. Arrestimi i tij u bë për arsye se ...u kap me një armë zjarri pistoletë e prodhimit çekosllovak të cilën e mbante pa leje.

Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit B.H i datëlindjes 13.07.1992 lindur në Burrel dhe banues në lagjen 13 Plazh, mbante një pistoletë pa leje, me të cilën është vetëplagosur

Duket shumë paradoksale, por tashmë problemi i armatosjes së popullsisë dhe, më keq akoma, e moshave të reja është një problem mjaft shqetësues që tregon se kriminaliteti në radhët e tyre ka tendenca në rritje të vazhdueshme që kërkojnë ndërhyrje efikase jo vetëm nga policia, por edhe nga i gjithë opinioni shoqëror.

Prejardhja e armëve

Vetëm po të analizojmë armët e kapura brenda një dite, markat dhe vitet e ndryshme të prodhimit flasin për spektrin e gjerë që kanë origjinat e këtyre armëve, të cilat janë të shumëllojshme, armë trofe, të trashëguara nga lufta, armë që kanë qenë në magazinat e grabitura në vitin 1997, si dhe armë që futen në rrugë kontrabandë nga vendet fqinje. Një pistoletë që u kap pas plagosjes së adoleshentëve ishte e markës “Uolter” që janë armë trofe lufte, pra, e ruajtur nëpër shtëpi e që po i “trashëgojnë” të rinjtë. Pistoleta tjetër ështe e prodhimit çek, armë elegante e mjaft efikase që kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri nga fundi i viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Ato kishin ardhur në numër të kufizuar, për Byronë Politike dhe janë ndarë për oficerët madhore nga ish-ministri i Brendshëm Kadri Hasbiu. Kjo lloj arme, që u zëvendësua më vonë në Shqipëri me pistoletat “Makarov”, ishte prodhim çek që në kohën e Luftës së Dytë Botërore, dhe ishte futur në armatimin organik të pilotëve të aviacionit nga ushtria gjermane. Pra, deri diku, duke hamendësuar nga origjina e ardhjes dhe hyrjes së këtyre armëve në qarkullimin e këtyre ditëve, markat e para u përkasin pasuesve të nomenklaturës që vijnë nga lufta dhe nga rangjet e larta të shërbimeve speciale të ushtrisë. Ose nga tregje të dikurshme me këtë burim origjine. Pistoletat “Zastava” janë armë të tregut klandestin që kanë hyrë gjerësisht pas fitores së demokracisë në Shqipëri.

Trafiku i armëve

Historiku i kronikave nga Durrësi ka treguar se ky qytet jo vetëm është me plot të rinj të armatosur, pasi janë të rralla diskot ku nuk janë përdorur pistoletat nga të rinjtë për shkaqe të ndryshme si xhelozi të momentit për vajza, por edhe mes shpërndarësve të lëndëve narkotike, për larje hesapesh e për ndarje territoresh të veprimit. Por Durrësi ështe tashmë edhe një qytet ku edhe luhet tregu i armëve të zjarrit. Rastet e shumta e të herëpashershme të goditjeve që ka dhënë policia në këtë qytet tregojnë se pas Tiranës, Durrësi renditet si më i spikaturi në këtë treg që tregon edhe rrezikshmërinë në rritje të kriminalitetit. Sipas përvojës së fituar në rastet e shumta që janë konstatuar, agjentët e krimeve përpiqen ta mbajnë gjithnjë nën kontroll këtë trafik, i cili vjen kryesisht nëpërmjet 3 rrugëve në Durrës: Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Sipas të dhënave paraprake dhe nisur edhe nga modeli i pistoletave të kapura herë pas here, si dhe markat, ka gjasa që rrugëtimet e tyre të jenë të ardhura nëpërmjet Malit të Zi, pasi specialistët mendojnë se janë prodhim në ish-Republikat e Jugosllavisë. Pistoletat “Zastava”të vogla janë identike me kopjet e pistoletave “Miniblou” prodhim turk me patentë amerikane, të cilat qarkullojnë edhe në Shqipëri prej kohësh dhe jane interceptuar nga policia me shumicë nëpër kanalet e trafiqeve që kanë kaluar nëpërmjet akseve Kosovë e Maqedoni. Vetëm në qytetin e Durrësit në zonën e plepave Plazh, para 2 viteve, janë kapur në një rast të vetëm rreth 156 copë të tilla. Një sasi e madhe u kap dhe një vit më parë nga punonjësit e specializuar të trafikut Porto. Pistoletat qenë futur në paretet metalike të shasisë së një mjeti për t’u kaluar me traget drejt shtetit fqinj Italisë. Nisur nga shpeshtësia e përsëritjes së këtij fenomeni që po ndodh kohët e fundit, mendohet se ka përsëri shumë tipe të tilla armësh në qarkullim. Kronikat e tregtimeve të tyre tregojnë se nga vendet e ish-Jugosllavisë janë duke u futur herë pas here edhe marka të falsifikuara të prodhimeve cilësore mjaft të dyshimta të etiketuara e emra markash cilësore, si “Bereta” etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›