Gjykata lë në qeli, pronarin e firmës Arti

Aristotel Haxhi
Gjirokastër, 15 Nëntor, 13:10, NOA - Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur pak më parë masën e sigurisë "arrest me burg për bashkëpronarin e shoqërisë së ndërtimit Arti sh.p.k, Aristotel Haxhi, i teti person që merr këtë masë, pas shembjes së pallatit pesëkatësh në këtë qytet, më 9 nëntor, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu, pasi shqyrtoi për më se një orë dosjet penale në ngarkim të Haxhit. Burime zytare nga kjo gjykatë thanë për agjencinë NOA se, ashtu si 7 personat e tjerë dhe Haxhi do të dërgohet në burgun e Bënçës. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh, i ngritur në një kodër në qytetin jugor, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Për këtë arsye, pas ngjarjes tragjike u ndaluan 10 persona, zyrtarë të bashkisë së Gjirokastrës dhe firmës Arti sh.p.k.
k.b/NOA