E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda e mallrave, në pranga tre persona

Policia e Tiranës ka bllokuar sot një sasi malli kontrabandë, i cili kishte hyrë nga pika kufitare e Kapshticës. Pas kontrollit të ushtruar janë vënë në pranga tre persona ndërkohë që po punohet për kapjen e personave të tjerë që mendohet të jenë të përfshirë në këtë trafik. 

TIRANE - Policia ka bllokuar sot një kamion dhe ka prangosur tre shtetas, të cilët janë kapur në flagrancë duke futur mallra kontrabandë nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës.
Mallrat kontrabandë kanë qenë kryesisht konfeksione si bluza, pantallona, pallto etj.
Burime nga policia e Tiranes bënë të ditur se, në kuadër të operacionit "Tregu i Medresesë" u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit Oligert Jakupi, 30 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, Adriatik Kollona, 37 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë si dhe Ilir Rrapaj, 37 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier.
Me cilësinë e provës materiale atyre iu bllokua një sasi malli kontrabandë konfesksione që, mendohet se ka hyrë në Shqipëri nga Greqia, përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës. Po ashtu policia bllokoi edhe kamionin, me të cilin transportohej malli.
Nga të njëjtat burime mësohet se grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë qe mendohet se janë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, ndërsa çështja i kaloi prokurorisë për veprën penale te kontrabandës se mallrave.

(O.Zh BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›