Lojërat e fatit, 60 subjekte në ndjekje penale
TIRANE - Të paktën 60 subjekte që rezultuan pa licencë në ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit, janë dërguar për ndjekje penale në Prokurori.
Zëdhënësi i Policisë së Përgjithshme të Shtetit, Klodian Branko, në një prononcim për median të shtunën, tha se "60 subjekte që rezultuan të palicencuara, janë dërguar për ndjekje penale në Prokurori për kundravajtje penale të "Organizimit të lotarive të palejuara" dhe "vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara".
Specialistë të Drejtorisë së Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, organizuan në datat 13-14 nëntor, në shkallë vendi një operacion të koduar "Gamblik" për identifikimin e aktiviteteve të palicencuara në këtë fushë.
Gjatë operacionit u kontrolluan 210 subjekte, 60 prej të cilave rezultuan të palicencuara. Këtyre subjekteve ju bllokuan ambientet ku zhvillonin aktivitetin dhe j'u sekuestruan 350 makineri kompjuterike. Operacioni do të vazhdojë në ditët në vijim, përfundoi Branko.
(O.Zh BalkanWeb)