Kontrabanda në Kakavijë, pranga “oficerit” nga Tirana
GJIROKASTER
Policia e Gjirokastrës çoi në pranga një “oficer të krimit ekonomik”, i cili kishte kaluar mallra kontrabandë nga Greqia në Shqipëri. Blutë arrestuan edhe një punonjës të Doganës së Kakavijës, i cili duke shpërdoruar detyrën e kishte lejuar atë të kalonte pa paguar taksën përkatëse. Sipas policisë së Gjirokastrës, të arrestuarit janë Pëllumb Kaziu nga Tirana, si dhe punonjësi i doganës, Agron Basha nga Lazarati. Mësohet se 37- vjeçari nga Tirana, pasi kishte kaluar 16 televizorë LCD përmes Kakavijës u ndalua në orët e vona të së martës për kontroll në kufirin administrativ, ku ndahet Gjirokastra me Tepelenën. Por në momentin kur blutë e kanë ndaluar, ai u është prezantuar atyre si oficer i Krimit Ekonomik në Tiranë. Madje Kaziu dispononte fenelinë në mjetin e tij, si dhe në xhamin e përparmë një tabelë të Policisë Rrugore. Qarkullimi në orët e vona të natës ka bërë që shërbimet e policisë së Gjirokastrës të dyshojnë dhe t’i kërkojnë dokumentacionin “kolegut” të tyre. Sipas policisë, për të qenë i besueshëm, në automjetin e tij ai mbante një fenelinë me ngjyrë blu të ndezur mbi kabinë si dhe një tabelë të Policisë Rrugore. Tabelën ndaluese 37-vjeçari e mbante mbi kroskotin e xhipit me xhama të zinj me pamje të dukshme dhe të qartë nga jashtë me qëllim që t’u shmangej kontrolleve të policisë gjatë rrugës. “Pëllumb Kaziu, me automjetin tip xhip “Mitsubishi” me ngjyrë blu me targa TR 3737 P, vinte nga Greqia përmes Kakavijës me një sasi malli prej 16 televizorësh të llojit LCD me madhësi nga 32 deri në 40 inçësh. Për të mos paguar asnjë detyrim doganor në Kakavijë, ai ka rënë në ujdi me punonjësin doganor Agron Basha”, bëri të ditur policia. Mësohet se punonjësi i doganës së Kakavijës ka qenë kryetar i Këshillit të Komunës së Lazaratit. Ai ka ndihmuar të kalonte pa probleme Kaziun drejt Tiranës, duke mos kryer asnjë praktikë për zhdoganimin e mallit. Sipas të dhënave, dëmi financiar i shkaktuar shtetit përllogaritet në 200 mijë lekë si shmangie e detyrimeve doganore. Nga ana e policisë është bërë sekuestrimi i televizorëve LCD, sinjalistikës së përdorur nga 37- vjeçari, si dhe automjetit. Të arrestuarit akuzohen për veprën penale të kontrabandës me mallra të tjera, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titujve apo detyrës shtetërore.