Lloyd me Metën: Pas zgjedhjeve, qeveri që të luftojë korrupsionit
Ilir Meta zhvillon takime të rëndësishme në Londër me Laburistët. Kryetari i Lëvizjes për Integrim, ndodhet që dje në Angli ku ka nisur një tur takimesh me personalitete të rëndësishme laburiste. Kryetari i LSI ka zhvilluar një takim me Toni Lloyd, kryetarin e grupit parlamentar të Laburistëve. Në këtë takim, Lloyd ka uruar kryetarin e LSI, Ilir Meta, për zgjedhjet dhe ka theksuar se pas zgjedhjeve pritet një qeveri që të luftojë korrupsionin. “Pas zgjedhjeve presim qeveri që të luftojë korrupsionin”, u shpreh Toni Lloyd. Po dje kreu i LSI-së është pritur në një takim nga sekretari i përgjithshëm i Laburistëve, Collins. Në këtë takim, Collins dhe Meta kanë diskutuar gjerësisht për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në vendin tonë. Kryetari i LSI-së u prit dje dhe nga kryetari i Komitetit Evropian, M.Conn-arty. Po dje, Meta dha një leksion në London School of Economics, një ndër universitetet më prestigjioze në botë, me temë, “Integrimi i Ballkanit Perëndimor, eksperienca dhe Perspektiva e Demokracisë Shqiptare”. Në referimin e tij në lidhje me integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, Meta theksoi se rajoni ka disa sfida të rëndësishme, si perceptimi ballkanas në lidhje me integrimin evropian; reformat strukturore në funksion të zhvillimit ekonomik dhe arritjes së standardeve evropiane; konsolidimi i nocionit të “shtetit anëtar” për shtetet me institucione të sapothemeluara siç është Kosova; siguria dhe stabiliteti politik në rajon, etj.